“Nga vizita e kryetares së komisionit evropian Ursula Von Der Lejen pres që t’i riafirmojmë qëndrimet tona se qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në BE dhe shpresoj se edhe BE do të na ndihmojë në këtë çështje”. Kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për vizitën e nesërme të komisionerës evropiane. Mickoski tha se RMV do të jetë këmbëngulëse në ruajtjen e dinjitetit të saj gjatë kësaj rruge.
“Pres që të riafirmojmë qëndrimet tona se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Në një farë mënyre, gjatë 25 viteve të fundit, ka qenë sikur e kemi humbur ngadalë fytyrën tonë, duke ecur në atë rrugë. Shpresoj se do të ketë rezultat edhe nga BE-ja, në mënyrë që të paktën ta ruajmë pak fytyrën tonë para se të hyjmë, sepse me fytyrën dhe dinjitetin e humbur, as atyre nuk do tu kryejmë punë dhe kjo Qeveri nuk ka ndërmend të humbasë më dinjitetin dhe fytyrën e saj”, tha Mickoski.
I pyetur lidhur me njoftimet e Von der Lejen për hapjen e qendrave të inteligjencës artificiale në RMV dhe Serbi, Mickoski tha se bëhet fjalë për një projekt të iniciuar nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Transformimit Dixhital.
“Është një projekt që është shtyrë nga Qeveria, pra Ministria e Transformimit Digjital. Është një gjë shumë e mirë për qytetarët e vendit, sepse për herë të parë do t’i shfrytëzojmë burimet tona vendase. E bëmë këtë me fakultetet FEIT dhe FINKI dhe kjo është diçka për të cilën jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur. Bëhet fjalë për ko-financim të përbashkët me vlerë rreth pesë milionë euro”, theksoi Mickoski.
Kryetarja e KE-së, Von der Leyen, ditën e djeshme nga Tirana ka filluar turneun e saj tre-ditor në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ditën e nesërme ajo do të qëndrojë për vizitë në Shkup. Siç kanë njoftuar nga Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Von der Leyen do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryeparlamentarin, Afrim Gashi.