Kandidatët e koalicionit VLEN dhe AKI edhe gjatë ditë së sotme kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në rrjetet sociale ka njoftuar se sot ka takuar banorët e Reçicës së Madhe.

“Reçica e Madhe e vendosur për Tetovën që vazhdon përpara. Kënaqësi t’i takoj banorët e Reçicës së Madhe, ku prezantova punët që janë bërë dhe planet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Prezenca e madhe në këtë tubim na jep sigurinë se Tetova e ka kuptuar se ka vetëm një opsion që ia do të mirën këtij qyteti”, ka shkruar Kasami.

Ndërsa kundërkandidati i tij Bajram Rexhepi, ka njoftuar se ka vizituar banorët e lagjes 146, ndërsa thotë se ka ofruar zgjidhje konkrete.

“Në këtë pjesë të rrugës 146, sot vizituam banorët e lagjes për të ofruar zgjidhje konkrete për disa nga problemet më të theksuara: Minimizimin e dëmeve gjatë vërshimeve të mundshme; Ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës së shkatërruar, e cila paraqet vështirësi të madhe për banorët, veçanërisht gjatë dimrit; Kyçjen e shtëpive në rrjetin e ujësjellësit. Me plan dhe me përgjegjësi, këto probleme do të marrin fund”, ka shkruar Rexhepi.

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, sot ka takuar banorët e lagjes Gazi Babë.

“Sot në Lagjen e Gazi Babës duke takuar qytetarë, duke dëgjuar kërkesat, hallet e dertet e tyre bashkë me Shtabin tim zgjedhor. Ne jemi një zë me qytetarët, jemi një zë me Gazi Babën! Jemi një zë që ia VLEN”, ka shkruar Mexhiti.

Ndërsa kundërkandidati i tij nga radhët e AKI-së Bujar Osmani, njoftoi se ka vizituar një fabrikë në Çair.

“Vizitova një fabrikë këtu në Çair, ku punojnë mbi 120 puntorë, kryesisht gra nga komuniteti ynë, që me përkushtim prodhojnë uniforma profesionale për zjarrfikësit, policët, postierët-në, në Gjermani e vende të tjera të Evropës. Uniforma që janë rezistente ndaj ujit dhe zjarrit, që mbajnë vulën “Made in Çair”. Pronari, Darko, është shembull i një sipërmarrësi që beson në fuqinë e punës këtu, në vendin tonë. E falënderova për kontributin e tij, për guximin dhe për besimin që i jep grave dhe të rinjve të Çairit përmes punës dhe dinjitetit”, ka shkruar Osmani./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version