
Në kuadër të brifingut të dedikuar monitorimit të progresit në zbatimin e Agjendës Reformuese, i cili u mbajt në Qeveri dhe ku morën pjesë anëtarë të Qeverisë, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, u bë një pasqyrë e detajuar e rezultateve të deritanishme dhe prioriteteve të ardhshme në fushat kyçe reformuese.
Në këtë ngjarje, fjalim mbajti edhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e cila u ndal në aktivitetet dhe rezultatet e Ministrisë në fushën e tranzicionit të drejtë, integrimit të tregut dhe avancimit të politikave energjetike në përputhje me standardet evropiane.
Ministrja informoi se strukturat drejtuese të parashikuara me Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë janë plotësisht funksionale dhe se është miratuar me sukses Plani Vjetor i Zbatimit për vitin 2026, i harmonizuar me dokumentet strategjike dhe prioritetet investuese të Qeverisë.
Theks i veçantë iu kushtua miratimit të Ligjit të ri për Energjetikë, me të cilin shteti bëri një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë me Paketën për Integrimin e Energjisë Elektrike të Komunitetit të Energjisë, si dhe progresit në përgatitjen e akteve nënligjore nga ana e SHA MEPSO.
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi gjithashtu gatishmërinë institucionale të operatorëve për zbatimin praktik të mekanizmave evropianë të tregut, si dhe njohjen ndërkombëtare përmes anëtarësimit në Italian Working Border Table.
Në aspektin e dimensionit social, u theksua se Ministria zbaton në mënyrë aktive masa për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, me një metodologji të miratuar për matjen e varfërisë energjetike dhe me mbështetje të siguruar për mijëra familje.
Gjithashtu, ministrja informoi për miratimin e Planit Trevjeçar për rinovimin e objekteve të Qeverisë Qendrore. Rezultatet e arritura, siç u theksua, përbëjnë një dëshmi të qartë të përkushtimit të institucioneve ndaj një tranzicioni të suksesshëm energjetik, integrimit të tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
Siç paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, do të mbahen rregullisht cikle takimesh, përkatësisht brifingje, me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidente në vendin tonë, me qëllim informimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë mbi hapat e ndërmarrë në zbatimin e Agjendës Reformuese.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me zbatimin e përgjegjshëm dhe transparent të reformave, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e një sistemi energjetik të sigurt, modern dhe të drejtë.





