Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski tha se nuk do të pranohet kërkesa e KE-së për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai tha se nuk mund të ketë bazë një kërkese e tillë, përderisa besimi në gjyqësor është dy për qind.

“Nuk do ta pranojmë kërkesën për rritje të mjeteve për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilat në ndryshimet e ligjeve kërkojnë që gjyqësorit t’i sigurohet 1.3 përqind e PBB-së në vit, ose dyfishi i shumës që është aktualisht. Kjo do të thotë 100 milionë dollarë në vit, dhe 250 milionë dollarë brenda pak vitesh. Personalisht, besoj se këto paga që ata marrin aktualisht nuk i meritojnë sepse kanë një vlerësim prej vetëm 2 për qind. Me atë që kërkojnë, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të varionin nga 300 deri në 350 mijë denarë në muaj. Kjo është arsyeja pse i kemi kërkuar Ministrisë së Financave të kryejë një analizë krahasuese se sa është ndarë për gjyqësorin në Gjermani, Kroaci, Hungari,… dhe ta paraqesim atë në KE”, tha Mickoski.

Ai theksoi se rezultatet fillestare të analizës tregojnë se në Gjermani, për gjyqësorin ndahen shumë më pak mjete buxhetore sesa ndahen dhe kërkohen nga ne.

Mickoski tha se nuk do të pranohet as kërkesa për liberalizimin e çmimit të energjisë elektrike.

“Jo të gjitha kërkesat nga KE-ja në aspektin e ligjeve do të pranohen, veçanërisht kërkesa për liberalizimin e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë nuk do të pranohet. Kjo do të thotë një rritje e çmimit prej dy deri në tre herë, veçanërisht në tre vitet e para të liberalizimit”, shtoi Mickoski.

Share.
Exit mobile version