Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski lidhur me kërkesën për ekstradimin e Nikolla Grueskit në vend tha se përgjegjëse është Ministria e Drejtësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ekstradimi është kërkuar që në vitin 2018, ndërsa është refuzuar në vitin 2019 nga ana e autoriteteve hungareze. Dhe nga ajo që jam njoftuar ekziston procedurë për azil atje nëse personi e kërkon për shkaqe të ndryshme. Për më shumë informacione mund të drejtoheni te Ministria e Drejtësisë”, tha Mickoski.
I pyetur nëse ka mundësi që të kthehet ish-kryeministri Nikolla Gruevski në Maqedoni, Mickoski tha se kjo çështje ju takon autoriteteve hungareze, por që nëse Gruevski shfaqet në Maqedoni, i njëjti do të dërgohet për vuajtje të dënimit me burg, pasi ndaj tij ka aktvendim gjyqësor në fuqi.
“Shikoni, unë nuk kam asnjë pritje, por nëse Nikolla Gruevski kthehet në Maqedoni, ai ka aktvendim gjyqësor në fuqi, dhe ai menjëherë pasi të paraqitet në Maqedoni, normalisht, organet e rendit do ta sigurojnë dhe do ta dërgojnë për vuajtje të dënimit me burg që është sipas aktvendimit në fuqi. Ne jemi qeveri për të vilën të gjitha ligjet vlejnë dhe qeveri që duhet t’i respektojë ligjet dhe institucionet në shtet. Normalisht, secili person ka të drejtë të shfrytëzojë institucionet, të drejtat e tyre, të parashtrojë ankesa, e kështu me radhë. Por ne si qeveri kemi aktvendim në fuqi, me të cilën, personi për të cilin po flisni tani, dërgohet për vuajtje të dënimit me burg. Ku do të kthehet dhe nëse do të kthehet, nuk kam pritje të tilla”, tha Mickoski./Telegrafi/

