Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me aksionin e MPB-së në rastin me importin e mazutit kancerogjen, në të cilin u arrestuan disa persona, tha se do të përgjigjen të gjithë ata që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve.

Ai nuk komentoi vendimin e gjykatës për masat ndaj të akuzuarve në këtë rast, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk do të komentoja vendimet e gjykatës. E kam thënë shumë herë në të kaluarën. Por mund të them se këta njerëz bënë qindra milionë euro biznes mbi kurrizin e qytetarëve, praktikisht u pasuruan në kurrizin e qytetarëve të Maqedonisë duke përdorur mjete të tilla të palejueshme dhe duke djegur substanca të tilla të palejueshme, duke rrezikuar kështu jetën dhe duke e shkatërruar të drejtën e vetme për jetë që është e garantuar me Kushtetutë për të gjithë qytetarët”, tha Mickoski.

“Më lejoni të falënderoj edhe Ministrinë e Brendshme, Byronë e Sigurisë Publike dhe anëtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme që u përfshinë në aksione. Sepse shteti i së drejtës, shteti i së drejtës duhet të mbizotërojë njëherë e përgjithmonë dhe duhet të jetë shtet i barabartë për të gjithë qytetarët dhe jo vetëm nënë për disa dhe njerkë për të tjerët. Ndaj inkurajoj këto veprime që kanë për qëllim luftimin e krimit të organizuar, siç është ky rast për të cilin po flisni”, tha Mickoski.

E në lidhje me faktin se bëhet fjalë për blerje të mazutit të dyshimtë, me origjinë dhe cilësi të dyshimtë, Mickoski kërkoi që të pritet përfundimi i hetimeve.

“Le të presim përfundimin e hetimeve dhe vetëm pas përfundimit të hetimeve mund të komentojmë të gjitha dyshimet e arsyeshme për të cilat do të akuzohen këta persona. Deri atëherë ne do t’i përmbahemi asaj që Ministria e Brendshme dhe Byroja e Sigurisë Publike i kanë bërë të ditur publikut”, tha Mickoski./Telegrafi/

Mickoski: Kanë helmuar qytetarët me mazut kancerogjen për të fituar pasuri mbi qindra milionë euro, kushdo që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version