
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Komisioni i Venecias ka dhënë mendim negativ për përdorimin e gjuhës shqipe në dhënien e provimit të jurisprudencës.
Mirëpo Mickoski tha se ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet dhe të bëjnë një ligj për këtë.
“Kushtetuta është e qartë dhe precize. Kushtetuta thotë se gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe në përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase, por gjithashtu, me përshkrimin më poshtë, ashtu thotë neni, gjuhë zyrtare në këtë rast është edhe shqipja, respektivsht bashkësia që është më tepër se 20%. Në këtë rast është gjuha shqipe. Dhe në një pjesë të amendamentit 5 që e zëvendëson nenin 7 të Kushtetutës shumë qartë qëndron, thotë komunikimi në institucionet shtetërore mund të zhvillohet edhe në këtë gjuhë, në këtë rast të bashkësisë që është më tepër se 20%, pasi që kjo të rregullohet me ligj, dmth ne duhet që këtë proces të provimit fillimisht ta përcaktojmë me ligj.
Ligji kështu siç është, nuk lejon provim të tillë, unë jam i gatshëm që këtë ta rregullojmë me ligj, dhe jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për gjuhët e të gjithë popujve që janë përmendur në preambulën. Nëse duam që kjo të ndodhë, duhet të bëhet ligj. Unë jam i gatshëm që të bëhet ligj, të dorëzohet në Komisionin e Venecias, nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën ose jo. Fakt është se kur është bërë Ligji për Gjuhët, Komisioni i Venecias, për pjesën e gjyqësorit dha mendim negativ”, deklaroi Mikcoski.
Mickoski tha se pret që sot të përfundojë debati mes ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov dhe zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali, në lidhje me kërkesën për provim të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Mickoski tha se ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet dhe tha se gjatë ditës së nesërme do t’i ftojë në takim palët e përfshira.




