Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot nënshkroi marrëveshje për grant me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 2 milionë euro, me të cilën fillon përgatitja e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Maqedoninë e Veriut.

Këto mjete granti prej 2 milionë euro për mbështetje teknike, të siguruara përmes Instrumentit Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), janë të destinuara për zbatimin e studimeve të fizibilitetit dhe analizave mjedisore dhe sociale për rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor, si parakusht për ndërtimin e deponive sanitare moderne, stacioneve të transferimit dhe pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave në rajon, sipas standardeve më të larta të BE-së.

Në ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, Izet Mexhiti, ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, dhe Zëvendësdrejtoresha, Bankiere, Biljana Milosheska nga BERZH.

“Me mjetet për të cilat sot po nënshkruajmë marrëveshje për grant, sigurojmë përgatitje teknike për rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor, që është parakusht për ndërtimin e infrastrukturës moderne: deponi sanitare, stacione transferimi dhe sistem për menaxhim efikas të mbeturinave. Përfitimet janë konkrete – mjedis më i pastër, standarde evropiane dhe përmirësim i drejtpërdrejtë i cilësisë së jetës për qytetarët”, deklaroi ministri Izet Mexhiti në ngjarje.

Biljana Milosheska nga BERZH deklaroi ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme për vendin.

“Gjithashtu, është iniciativa e parë e Bankës në këtë sektor, duke mbështetur zbatimin e sistemeve për menaxhimin e mbeturinave të harmonizuara me standardet e BE-së për më shumë se një milion banorë në tre rajone planifikimi dhe 45 komuna”, tha Milosheska.

Ambasadori evropian Rokas theksoi se ruajtja e bukurive natyrore të Maqedonisë së Veriut kërkon një luftë të vendosur dhe rigoroze kundër mbeturinave të ngurta në nivel qendror dhe lokal.

“Me 2 milionë euro grant nga WBIF, ne e vazhdojmë përkushtimin e BE-së për ta ndihmuar vendin në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për përballjen me problemin e mbeturinave të ngurta. Ky është vetëm fillimi i mbështetjes financiare të vazhdueshme të BE-së për Maqedoninë e Veriut në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të mbeturinave”, tha Rokas.

Projekti Rajonal për Mbeturinat e Ngurta, i financuar me një kredi nga BERZH prej 55 milionë euro, e nënshkruar më parë, përfshin ndërtimin e deponive sanitare, stacioneve të transferimit dhe infrastrukturës për mbledhjen e mbeturinave në disa rajone. Faza e parë, e financuar me një transh prej 47.5 milionë euro, tashmë është në fazë zbatimi dhe përfshin aktivitete në rajonin e Pelagonisë, Jugperëndimor dhe të Pollogut, ndërsa granti i sotëm mundëson përgatitjen teknike për mobilizimin e aktiviteteve edhe në rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor.

Granti është pjesë e një mbështetjeje më të gjerë financiare të siguruar nga BE-ja dhe WBIF, që përfshin edhe një grant investues prej 21.7 milionë euro, i cili do të nënshkruhet gjatë zbatimit të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta.

Mexhiti: Nënshkruhet marrëveshja për grant me BERZH për fillimin e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version