Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, thotë se me miratimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nga Qeveria e RMV-së, i jepet fund epokës së zgjidhjeve gjysmake.
Mexhiti shkruan se me ligjin e ri, vendoset kornizë e qartë ligjore dhe vendosen mekanizma kontrolli dhe përgjegjësie.
“Sot, me miratimin nga qeveria të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, po i japim fund një epoke të zgjidhjeve gjysmake, kulturës së improvizimeve dhe mekanizmave që për vite me radhë krijonin padrejtësi, paqartësi, pasiguri dhe dëm për shqiptarët. Për një kohë të gjatë, në vend të sistemit, kishim mjete të përkohshme. Në vend të drejtësisë, kishim selektivitet. Në vend të besimit, kishim zhgënjim. Pikërisht për këtë arsye e ndërmorëm këtë proces- jo për të ruajtur status quo-në, por për ta ndryshuar atë”.
“Me këtë ligj: vendoset një kornizë e qartë ligjore, vendosen mekanizma kontrolli dhe përgjegjësie, dhe më në fund, përfaqësimi i drejtë pushon së qenuri pazar politik dhe bëhet detyrim ligjor. Ky nuk është hap pas. Ky është hap përpara. Po i mbyllim dobësitë e së kaluarës dhe po ndërtojmë një sistem që do të jetë i drejtë, transparent dhe i qëndrueshëm. Një sistem në të cilin e drejta nuk varet nga vullneti, por nga ligji. Një sistem në të cilin çdo qytetar ka shanse të barabarta dhe çdo komunitet ka vend të denjë dhe të barabartë”.
“Për shqiptarët, kjo do të thotë fund i politikave që krijonin iluzion të përfaqësimit, ndërsa në thelb linin boshllëqe. Për shtetin, kjo do të thotë institucione më të forta. Ne nuk premtojmë zgjidhje të lehta. Ne sjellim zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar Mexhiti./Telegrafi/

