Deponitë e mbeturinave janë rikthyer thuajse në të gjitha lagjet e Shkupit. Pavarësisht premtimeve të shumta të kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski për pastrimin e kryeqytetit, situata në terren mbetet shqetësuese.
Gjorjgievski tha se gjendja e krijuar nuk është për shkak të mosfunksionimit të duhur të Higjienës Komunale, por si rezultat i çështjeve të pazgjidhura që i ka hasur me marrjen e postit.
“Ne sado që të mundohemi, nëse qytetarët nuk e trajtojnë në mënyrë të duhur mjedisin jetësor, vendbanimet e tyre nuk mund ta arrijmë së bashku efektin …. Nuk duhet të harrojmë se Shkupi është shtëpia jonë e përbashkët e të gjithë që jetojmë në qytetin e Shkupit, duhet të kujdesemi ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona”deklaroi-Orce Gjorgjievski
Ndërkohë, Ministri i Ekologjisë Muhamed Hoxha thotë se janë duke punuar për zgjidhje sistematike për grumbullimin e mbeturinave.
“Unë si ministër i Ambientit Jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe ministria është e fokusuar në zgjidhje sistematike në problemin e mbeturinave për ndërtimin e qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave”-tha Muhamet Hoxha
Ndërkaq, sot u realizua aksioni ekologjik “Fundjavë e Përgjithshme”, ku e pranishme ishte edhe presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkokva, e cila porositi institucionet dhe qytetarët që bashkërisht të punojnë dhe ta ruajnë mjedisin. /Alsat.mk
