
Buxheti për realizimin e projektit për rehabilitimin me efikasitet energjetike të konvikteve shtetërore për studentë në Maqedoni rritet me 5.5 milionë euro. Bëhet fjalë për fonde të pakthyeshme të siguruara nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht përmes Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë, për të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave sot firmosën marrëveshje me Bankën Gjermane për Zhvillim.
Granti është dedikuar që të mbulojë pjesë të shpenzimeve për rikonstruimin e katër konvikteve shtetërore për studentë në kuadër të fazës së dytë të projektit – “Nikolla Karev” në Ohër, “Vëllezërit Milladinov”; në Shtip, “Orde Çopella” në Prilep dhe “Tome Stefanovski -Seniq”; në Shkup, objektet e të cilave do të përmbushin standardet për konsum pothuajse zero të energjisë.
Gjatë firmosjes së marrëveshjes, ministrja e Arsimit tha se të rinjtë janë qytetarët më të rëndësishëm të Maqedonisë dhe Qeveria është e përkushtuar t’u sigurojë atyre kushte për arsim, punë dhe jetë të mirë, në mënyrë që ata më pas të mund t’ua kthejnë nderin duke marrë pjesë në zhvillimin e saj. Ndër prioritetet është ndryshimi i imazhit të konvikteve të studentëve të cilat, siç theksoi ajo, janë objekte ku të rinjtë krijojnë kujtimet më të bukura për shumë studentë të çdo brezi.
„Me marrjen e këtij granti, buxheti i projektit arrin në mbi 30 milionë euro dhe jam e lumtur që po vazhdojmë me aktivitetet e rikonstruimit në objektet e reja. Pres që punimet ndërtimore në katër konviktet të fillojnë deri në fund të vitit", tha Janevska, duke informuar se konviktet “Kuzman Josifovski – Pitu” dhe “Stiv Naumov” në Shkup janë në proces aktiv rikonstruimi dhe shumë shpejt do të bëhen moderne dhe me efikasitet energjetik.
Në fazën e tretë janë përfshirë konviktet “Goce Dellçev” dhe “Pelagonia” në Shkup dhe “Koço Racin” në Manastir. Fondet për përfundimin e fazës së dytë dhe të tretë do të sigurohen përsëri në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimin Evropian./Telegrafi/
MASH-Maqedoni: Firmoset marrëveshje për grant me vlerë 5.5 milionë euro për rinovimin me efikasitet energjetik të konvikteve shtetërore të studentëve appeared first on Telegrafi.