Arritën 17 mjetet e para të lehta të blinduara të quajtura “Stryker”, ndërsa deri në mes të verës pritet të arrijnë gjithsej 42, të cilat janë pjesë e furnizimit të mjeteve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për mjete që ofrojnë mobilitet të jashtëzakonshëm duke pasur parasysh se mund të transportojnë një njësi prej 11 ushtarësh dhe të zhvillojnë një shpejtësi maksimale deri në 100 kilometra në orë. Ministri i Mbrojtjes, VlLado Misajllovski, tha se furnizimi me “Stryker” është investimi më i madh dhe se vendi po bën gjithçka që është e nevojshme për të pasur një ushtri moderne me shumë pajisje.
“Ajo që kërkon NATO nga ne është të investojmë mbi 20% në modernizim, ne e bëjmë këtë edhe më shumë, mbi 32% e buxhetit tonë shkon drejtpërdrejt për modernizim. Pasojnë edhe shumë projekte të tjera, sepse në periudhën e kaluar, së bashku me miqtë tanë nga SHBA, kemi bërë disa marrëveshje Qeveri me Qeveri. Pjesa më e madhe kanë kaluar në Kuvend, ndërsa në periudhën në vijim presim armatime shtesë, pajisje shtesë, dronë, pajisje për njësitë speciale dhe shumë projekte të tjera”, tha Vllado Misajllovski – ministër i Mbrojtjes.
Nikoll Varns, zëvendësshefe e misionit të Ambasadës së SHBA-së në vend, tha se Maqedonia e Veriut si aleate e NATO-s po bën gjithçka për modernizimin e Ushtrisë.
“Maqedonia e Veriut po bën një hap të vërtetë dhe të dukshëm përpara në modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe forcimin e vendit të saj në aleancën e NATO-s. Këta “Stryker” janë më shumë se thjesht mjete të reja në inventarin tuaj, ata janë një shenjë konkrete e partneritetit tonë dhe një shprehje e qartë e përkushtimit tonë të përbashkët për të mbrojtur vendet tona, aleancën tonë dhe vlerat për të cilat angazhohemi”, dekalroi Nikoll Varns – zëvendësshefe e Misionit të Ambasadës së SHBA-së.
Përveç furnizimit me “Stryker”, paralelisht është në zhvillim edhe një projekt tjetër që realizohet me SHBA-të i quajtur “Klisa”, me të cilin do të restaurohen mjetet e vjetra dhe të dëmtuara që kanë qenë të ruajtura në depo. Deri tani janë siguruar pjesë rezervë dhe pajisje për të bërë funksionale edhe këto mjete.
