
Maqedonia e Veriut dhe Turqia do të nënshkruajnë protokoll për bashkëpunim në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, u bë e ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.
Ministria tha se përcaktimi i përmbajtjes së dokumentit është në fazën përfundimtare dhe u diskutua në takimin e sotëm midis ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe ambasadorit turk në Shkup Fatih Ulusoy.
“Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për të përfunduar procesin deri në fund të vitit ndërsa nënshkrimi i protokollit do të forcojë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do të sigurojë bashkëpunim më të madh midis institucioneve arsimore dhe shkencore, shkëmbim të stafit mësimdhënës dhe shkencor, nxënësve dhe studentëve”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, ministrja Janevska prezantoi konceptin për themelimin e parkut të parë teknologjik në Shkup ndërsa pala turke shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur realizimin e kësaj ideje përmes përfaqësuesve të komunitetit të biznesit turk në vend, theksohet më tej.
Sipas njoftimit, Janevska dhe Ulusoy diskutuan gjithashtu mbi përmirësimin e mësimdhënies në gjuhën turke në Maqedoninë e Veriut, të cilën e ndjekin mbi 8.000 nxënës, përmes më shumë trajnimeve për stafin mësimdhënës dhe investimeve në mjete dhe pajisje shtesë mësimore.