Pothuajse një e treta e pajisjeve mjekësore të kushtueshme në shëndetësinë publike të Maqedonisë së Veriut nuk përdoren fare ose janë lënë të pluhurosen në bodrumet e spitaleve. Këtë e zbulon një analizë e Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), që tregon për mungesë të planifikimit dhe keqmenaxhim në furnizimin me aparaturë të avancuar mjekësore.
Sipas raportit, në periudhën 2021–2023 janë blerë pajisje në vlerë prej 13 milionë euro që nuk janë vënë fare në funksion për shkak të mungesës së kuadrit profesional dhe kushteve hapësinore. Ndërkohë, aparate të tjera me vlerë prej 5.5 milionë euro nuk shfrytëzohen në kapacitet të plotë.
Ndër pajisjet e prekura janë skanerët CT, angiografët, akceleratorët për terapi me rrezatim, mamografët dhe PET/CT skaneri – shërbime për të cilat pacientët presin me muaj për një termin.
Nga 9 akceleratorë të blerë për terapi të pacientëve onkologjikë me vlerë afër 22 milionë euro, 5 nuk janë vënë asnjëherë në përdorim. Megjithëse janë blerë për disa institucione publike shëndetësore, të gjitha trajtimet gjatë kësaj periudhe janë realizuar vetëm në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, e cila çdo ditë trajton mbi 200 pacientë, duke e mbingarkuar seriozisht stafin dhe kapacitetet.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, pranoi problemin dhe fajësoi mungesën e planifikimit në furnizimet e mëhershme. “Një nga akceleratorët në Onkologji tashmë është në funksion. Do të bëjmë përpjekje që të paktën një pjesë e aparaturës të vihet në përdorim. Në të ardhmen, duhet planifikim më i mirë që të sigurohen edhe resurset njerëzore dhe teknike për funksionim efikas të pajisjeve,” tha ai.
Revizioni po ashtu evidenton se 18 angiografë me vlerë gati 13 milionë euro nuk përdoren sa duhet për shkak të mungesës së personelit dhe kushteve teknike. Dy skanerë CT në spitalet e Tetovës dhe Koçanit janë jashtë funksioni, ndërsa në disa spitale të tjera aparatet janë të mbingarkuara dhe të amortizuara, duke shkaktuar shpenzime shtesë për shkak të defekteve të shpeshta.
Në qendren e vetme PET në vend janë realizuar vetëm 6.457 skanime për tri vite, me një mesatare prej 180 pacientësh në muaj. Edhe pse ciklotroni mund të prodhojë izotope për më shumë skanime, kapacitetet nuk janë shfrytëzuar plotësisht.
Problematike është edhe përdorimi i robotit për fizioterapi me vlerë gati një milion euro. Në sistemin “Termini im” mungojnë të dhëna reale për përdorimin e tij, janë paraqitur më pak shërbime dhe nuk është faturuar participimi në vlerë prej 250.000 euro.
Në fund, revizorët paralajmërojnë për rrezik të sigurisë publike, pasi shumë nga pajisjet jofunksionale, përfshirë ato radioaktive, ende gjenden të deponuara në bodrumet e spitaleve dhe paraqesin rrezik të mundshëm për shëndetin dhe mjedisin. /Telegrafi/
Maqedoni, 32% e aparaturës së shtrenjtë mjekësore mbetet e papërdorur appeared first on Telegrafi.