Ish-shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku ka reaguar përmes një postimi publik, duke e cilësuar si fushatë të paturpshme atë që sipas saj është duke u zhvilluar kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo ka deklaruar se ndaj LDK-së është nisur një fushatë me pretendime të ndryshme, përfshirë fabrikime dhe mesazhe intimidimi.
“Një fushatë e paturpshme ka nisur në mesnatën e mbrëmshme kundër LDK-së. Fabrikim i posterëve në gjuhë serbe, fabrikim i dorëheqjeve e fyerje me mesazhe intimiduese ndaj anëtarëve të LDK-së. Krejt kjo është dëshmi e frikës së madhe që ekziston nga bashkimi i së djathtës rreth LDK-së e rritja e saj”, ka shkruar ajo.
Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”
Sipas saj, pretendimet për dorëheqje nga partia nuk qëndrojnë dhe janë pjesë e propagandës.
“Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, ka theksuar Lushaku.
Ajo ka shtuar se vendi po përballet me propagandë politike dhe sipas saj, Kosova ka nevojë për bashkim politik të së djathtës.
“Ata që e sollën vendin në kriza politike, në panik, tentojnë ta mbulojnë dështimin me propagandë të ultë. Kosova ka nevojë për një bashkim të së djathtës; një vizioni zhvillimor e patriotik; një shpëtim të vendit tonë nga krizat!”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit të saj, ajo ka theksuar se sulmet vetëm sa e forcojnë LDK-në.
“Prandaj sa më shumë sulme, aq më i madh bashkimi”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/

