Rreth 154,408 punëtorë në Maqedoni marrin një pagë nën 30,000 denarë dhe kanë një arsye të madhe për të protestuar për rritjen e pagës minimale, njoftoi Lindhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Sipas të dhënave nga Zyra e të Ardhurave Publike, numri i përgjithshëm i punëtorëve në vend është 503,031, që do të thotë se pothuajse një e treta e tyre jetojnë me të ardhura nën pragun e varfërisë, që është 31,200 denarë.
Kjo tregon se shumë punëtorë, pavarësisht punës, janë në varfëri.
LSM thekson se rritja e pagës minimale do të thotë një rritje e drejtpërdrejtë e pagave për këta 154,408 punëtorë dhe do të ndikojë në rritjen e pagave edhe në sektorë të tjerë.
“Lufta për paga më të larta është një luftë për një jetë dinjitoze për punëtorët, dhe të gjithë kanë të drejtë të luftojnë për pagat e tyre”, deklaron sindikata.
Protesta është planifikuar për 14 mars, duke filluar në orën 12:05 para Shtëpisë së Punëtorëve në Shkup, dhe do të vazhdojë para Parlamentit, Dhomës së Tregtisë dhe Qeverisë.
LSM u bën thirrje të gjithë punëtorëve, familjeve të tyre, si dhe atyre 154,408 punëtorëve me pagë nën 30,000 denarë, që t’i bashkohen luftës për rritjen e pagës minimale dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“Rritja e pagës minimale nuk është vetëm një kërkesë e sindikatave, është e drejta e çdo punëtori për një jetë dinjitoze dhe për siguri më të madhe ekonomike”, përfundon LSM.
