
LSDM opozitare ka akuzuar qeverinë se nuk vepruan para festës së Pashkëve, që t’i mbrojnë qytetarët nga çmimet e larta.
“Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski nuk ndërmori masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve dhe i la qytetarët të përballen me koston e jetesës çdo ditë”.
Sipas LSDM-së, përderisa familjet përpiqen të sigurojnë produktet bazë, Qeveria shpall masa “pas festave”, duke pritur analiza dhe raporte.
Ndërkohë që, siç thonë ata, LSDM ka paralajmëruar për javë të tëra dhe ka ofruar zgjidhje konkrete – si atë të uljes së çmimeve të karburantit dhe ushqimeve. LSDM thekson se qytetarët po paguajnë çmimin e kësaj papërgjegjësie.
“Tregjet janë plot, por çantat e qytetarëve mbeten gjysmë të zbrazëta. Bëhen blerje minimale, ‘sa për të provuar’, dhe disa qytetarë vetëm shikojnë përreth pa pasur mundësi t’i përballojnë ato. Mishi i qingjit arrin deri në 700 denarë për kilogram, vezët dhe vaji i ullirit janë bërë më të shtrenjta, dhe çmimet e domateve kalojnë 200 denarë për kilogram. Vlerësojmë se ky është rezultat i politikave ekonomike të vonuara, të pamjaftueshme dhe të gabuara, pasi Mickoski mbron biznesin dhe fitimin në vend të standardit të popullit”, thonë nga LSDM.




