Reagime të ashpra nga opozita pasi prokuroria vendosi ta hedhë poshtë kallëzimin anonim penal ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski, lidhur me certifikatën për njohjen e gjuhës angleze.
Sipas LSDM-së, ky veprim i prokurorisë është bërë nën presion partiak nga struktura qeverisëse.
“Kritikat bazohen në faktin se në skenarë të ndryshëm ka dy qasje të ndryshme – në një rast kërkohet burimi i certifikatës dhe pritet përgjigjja, ndërsa në këtë rast, nuk kërkohet fare. Prandaj, mendoj se kjo tregon për presion të fortë partiak nga ana e OBRM-PDUKM-së”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Për pushtetin, ky reagim i opozitës është vetëm përhapje e lajmeve të rreme.
“Sado që të përpiqen t’i shpërndajnë ato lajme të rreme, dezinformata, sado që të përpiqen nga çdo situatë të bëjnë politikë – të flasin se dikush ka përdorur certifikata të rreme, të flasin se i ka ndryshuar ato certifikata, se i ka përmirësuar e kështu me radhë, madje, do të thosha edhe me një gjyqësor dhe prokurori të tillë, të përbërë nga kuadrot që ata i kanë lënë, nuk mund ta fshehin të vërtetën, përkatësisht, e vërteta sot del në pah se nuk ekzistojnë certifikata të rreme”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Prokuroria dje doli me informacion se është hedhur poshtë kallëzimi kundër Hristovskit, me arsyetimin se përveç certifikatës bullgare të dyshimtë për njohjen e gjuhës angleze, ai kishte dorëzuar edhe një të vlefshme.
Pas këtij vendimi pasuan reagime të ashpra në opinion, pas së cilave u kërkua që prokuroria ta dorëzojë përgjigjen nga hetimi për certifikatën e Hristovskit të marrë nga Bullgaria. Për rikujtim, Hristovski ishte akuzuar se kishte marrë certifikatë të rreme TOEFL për njohjen e gjuhës angleze nga një qendër gjuhësore që nuk ekziston në Pllovdiv, diçka që pushteti vazhdimisht e mohonte.
LSDM: Prokuroria po punon nën presionin e OBRM-PDUKM-së appeared first on Telegrafi.