Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni paraqitën sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut një projektligj për mbështetjen të familjarëve të viktimave nga zjarri tragjik në Koçan. Propozimi u paraqit sipas një procedure të shkurtuar.
“Ne besojmë se pas ngjarjes që ndodhi më 16 mars të këtij viti në diskotekën në Koçan, shteti ka detyrim të ketë një reagim institucional, të cilin e kemi theksuar vazhdimisht. Gjithashtu duhet të kemi një reagim të shpejtë institucional që, mbi të gjitha, do t’u ofrojë mbështetje familjeve të viktimave dhe atyre që pësuan në zjarrin në Koçan”, tha koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.
Ligji parashikon mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për familjet e të ndjerëve, si dhe një sërë masash në fushat e marrëdhënieve sociale, shëndetësore dhe të punës për të gjitha viktimat.
“Ky akt nuk do ta shërojë dhimbjen, por është një sinjal se shteti qëndron pas qytetarëve të tij. Presim mbështetje nga të gjithë deputetët dhe partitë politike – për të dërguar një mesazh uniteti, solidariteti dhe përgjegjësie”, tha Spasovski.
Ai theksoi se përgjigja institucionale do të nënkuptojë një ndryshim themelor në shumë zgjidhje ligjore, të cilat do të kontribuojnë në një funksionim të ndryshëm të të gjithë këtij sistemi./Telegrafi/
LSDM paraqet projektligj për mbështetjen e familjarëve të viktimave nga tragjedia në Koçan appeared first on Telegrafi.