Nga sot fillon procedura për përcaktimin e kandidatëve të LSDM-së për këshilltarë dhe kryetarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale, vendosi Bordi Qendror i LSDM-së në seancën e mbrëmshme.
Në atë drejtim, Bordi Qendror, siç citohet në kumtesën partiake, miratoi rreguilloren dhe librin e afateve për procedurën, mënyrën dhe kriteret për përcaktimin e kandidatëve të LSDM-së.
“Përmes një procedure të hapur, gjithëpërfshirëse, transparente dhe demokratike brendapartiake, LSDM-ja, së bashku me anëtarësinë e saj, do të zgjedhë kandidatët më të mirë për zgjedhjet lokale. Qëllimi është që LSDM-ja të përfaqësohet nga individë të aftë dhe kredibilë, të cilët gëzojnë besim si brenda mjedisit të tyre ashtu edhe midis bashkëpartiakëve, por edhe nga qytetarët që jetojnë në komuna. Njerëz që mund të japin rezultate dhe kanë kapacitet për të zbatuar programin me të cilin partia do t’u prezantohet qytetarëve”, thuhet në kumtesë.
Bordi Qendror autorizoi kryetarin e partisë, Venko Filipçe, të zhvillojë biseda me partnerët e përhershëm të koalicionit të LSDM-së, si dhe me aleatët e rinj potencial të koalicionit për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Bordi Qendror i LSDM-së, qëndron në kumtesë, ka vlerësuar se menjëherë para zgjedhjeve lokale, institucionet nën kontroll të pushtetit, të koordinuar kryejnë presion ndaj kryetarëve të komunave nga radhët e LSDM-së.
“Ne e konsiderojmë këtë si presion tendencioz politik dhe përfaqëson keqpërdorim të institucioneve shtetërore për qëllime partiake nga OBRM-PDUKM. LSDM-ja, me të gjitha mekanizmat në dispozicion, do të mbrojë integritetin e kryetarëve të komunave tona dhe do të mbrojë standardet dhe parimet demokratike”, thonë nga LSDM.
Në plan ekonomik BQ ka vlerësuar se “po ndodh pikërisht ajo për të cilën LSDM ka paralajmëruar prej kohësh: ekonomia e Maqedonisë vazhdon të fundoset, pa asnjë dinamikë dhe pa rritje mbi 3 për qind”.
“Është shqetësuese që edhe parashikimet e Bankës Botërore janë rishikuar poshtë, me ç’rast Maqedonia e Veriut është në thellësinë e gjithë rajonit. Kriza ekonomike po ndikon gjithnjë e më shumë në standardin e jetesës së qytetarëve dhe qeveria e udhëhequr nga OBRM-PDUKM jo vetëm që nuk ka arritur ta stabilizojë situatën, por e ka përkeqësuar atë me një sërë masash joefektive dhe të vonuara. Qytetarët sot jetojnë më keq se në çdo vit të dekadës së fundit. Maqedonia e Veriut ka pagat më të ulëta në rajon dhe paguan disa nga çmimet më të larta. Qeveria nuk ka strategji, nuk ka vizion, nuk ka plan”, thonë nga LSDM.
Prandaj, ata njoftojnë se do të vazhdojnë me masa proaktive dhe zgjidhje ligjore në luftën për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve dhe situatën e përgjithshme në vend.
Në këtë drejtim, siç thuhet në kumtesë, zgjidhjet ligjore do të përgatiten dhe propozohen në Kuvendin e Maqedonisë.
“Grupi parlamentar i LSDM-së po përgatit gjithashtu një ligj të veçantë për të siguruar mbështetje konkrete dhe të drejtpërdrejtë për familjet e prekura nga tragjedia në Koçan. Ligji do t’i paraqitet Kuvendit javën e ardhshme. Ai është përgatitur sipas përvojave ndërkombëtare dhe praktikave të mira nga vendet që janë përballur me aksidente të ngjashme”, thuhet në kumtesë.
Ligji, siç thuhet nga LSDM, ofron ndihmë financiare dhe institucionale për familjet e viktimave, si dhe mbështetje shtesë për ata që kanë të afërm të lënduar. Qëllimi është të ndihmohet në kapërcimin e pasojave dhe kostove që rezultuan nga ngjarja tragjike, por edhe të forcohen sistemet institucionale që kanë provuar të jenë të papërgatitura mjaftueshëm.
“LSDM mbështet prindërit dhe familjet e viktimave në Koçan dhe mbetet e hapur për diskutime dhe bashkëpunim për të gjitha çështjet që lidhen me ngjarjet. Megjithatë, LSDM kundërshton dhe dënon fuqimisht çdo përpjekje për keqpërdorim politik. Gjatë takimit me prindërit, deputetët e LSDM-së vunë re anëtarë të krahut rinor të partisë politike E Majta. Nëse ata janë bashkuar për të nxjerrë përfitime politike dhe partiake, ne i dënojmë ata me fjalët më të ashpra”, thuhet në kumtesën e partisë.
LSDM-ja, siç u theksua, e njeh nevojën për ndryshime të thella sistemike dhe mbetet e përkushtuar për transformimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve, në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
LSDM: Filloi procedura për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale appeared first on Telegrafi.