Partia opozitare maqedonase LSDM, ka reaguar për shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Artan Grubit, me çka thonë se “sundimi i ligjit është varrosur plotësisht”.
Nga LSDM thonë se marrëveshja midis OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së po realizohet para syve të opinionit.
“Pas teatrit në kufi, me kthim të dakorduar dhe xhirime të inskenuara, ku pamë Grubin të vinte duke buzëqeshur, me syze, vijoi arrest shtëpiak. Përcaktimi i arrestit shtëpiak për Grubin është konfirmim se gjithçka ishte dakorduar. Kjo është arsyeja pse prokuroria dhe gjyqësori u vunë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Mickoskit dhe OBRM-PDUKM, për të cilin LSDM ka folur prej muajsh. Ata ndryshuan prokurorin publik, zgjodhën gjyqtarë dhe prokurorë nën kontrollin e tyre”.
“Ata emëruan gruan e një ish-kryetari të OBRM-PDUKM-së si anëtare të Këshillit Gjyqësor, këshilltaren e Mickoskit në Gjykatën Kushtetuese, dhe zgjodhën një ish-zëvendësministër të OBRM-PDUKM-së si prokurore të përkohshme. Ata emëruan Daniela Dimovska si kryetare të përkohshme të Gjykatës Penale. Mbrëmë pamë pse. Të jetë një hallkë në duart e qeverisë, një instrument për zbatimin e vendimeve politike të Mickoskit dhe OBRM-PDUKM”.
“Si vendimi për arrest shtëpiak, ku përgjegjësia i takon prokurorisë dhe gjyqësorit. Edhe pse ai u arratis një herë, dje prokuroria kërkoi masë më të butë se masa e paraburgimit e përcaktuar më parë. Imagjinoni, ai u arratis një herë, dhe tani prokuroria po kërkon zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë arresti shtëpiak. Kush është prokurori në fjalë në këtë rast? Daniel Kocev. Dhe shefi i tij? Prokurori Anel Fidoski. Ai u zgjodh në këtë pozicion më 20 janar 2026 si kreu i prokurorisë më të madhe në vend, pra 1 muaj më parë. Kush nuk e kupton më këtë skenar? Kemi dy muaj që flasim për këtë”.
“Ardhja e Grubit ishte padyshim e kurdisur. Së pari, marrja e kontrollit të plotë të prokurorisë me një menaxhim të ri, dhe pastaj realizimi i marrëveshjes midis OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së. Për më tepër, pamë se i gjithë sistemi i burgjeve kapitulloi para marrëveshjeve politike. “Siguria e tij nuk mund të garantohej”, kështu që e lanë të shkonte në shtëpi”, thonë nga LSDM./Telegrafi/

