Rrugës e cila të dërgon drejt ish liqenit të Treskës, na pritën deponitë jolegale. Mbeturinat ishin të shumta. Liqeni i Treskës dikur vizitohej nga mijëra qytetarë të Shkupit por edhe turistë të huaj ndërsa tani ky liqen ka mbetur vetëm si një gropë e madhe në mes të komunës së Sarajit. Dhe duke qenë se ky vend ka kohë që nuk shfrytëzohet nga njerëzit, atë e kishin “pushtuar” kafshët.
Sipas kryetarit të Komunës së Sarajit, Iljas Veseli, kompetencat dhe përgjegjësitë për zonën e liqenit Treska i takojnë Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit ndërsa nga atje ende presin përgjigje se çfarë do të vendoset me fatin e këtij lokaliteti.
“Ne si komunë para disa ditësh kërkuam që të marrim informatë nga Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për promovim dhe përkrahje të turizmit, e cila funksionon në kuadër të kësaj ministrie. Kërkuam nga ata që të sqarojnë se cilat janë hapat e ardhshëm që të zgjidhin çështjen e liqenit Treska apo këtë problematike dhe shpresojmë të marrim përgjigje nga ata”, tha Iljas Veseli – Kryetarit të Komunës së Sarajit.
Sipas Veselit, nëse Agjencia për promovim dhe përkrahje të turizmit nuk ofron ndonjë plan për zhvillimin e zonës së liqenit Treska, atëherë komuna e Sarajit do të kërkoje që të lejohet së paku revitalizimi i kësaj zone që të mund të shfrytëzohet si park për qytetarët. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, me ndryshimet e fundit në Ligjin për Veprimtarinë Turistike dhe Ligjin për Themelimin e Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit në RMV, të gjitha çështjet që lidhen me turizmin janë nën juridiksionin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Sa i përket asaj se çfarë plani ka Ministria e Kulturës dhe Agjencia për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit për zonën e liqenit të Treskës, nga kjo agjenci deri tani nuk kemi përgjigje.
Liqeni i Treskës, atraksioni i dikurshëm turistik është lënë tërësisht pas dore appeared first on Telegrafi.