
Përmes një qëndrimi të përbashkët, pronarë të bizneseve të vogla, kanë reaguar në lidhje me draft-ligjin për mbrojtjen nga duhani, duke shprehur shqetësime për pasojat që do të shkaktojë zgjidhja ligjore për këtë veprimtari tregtare.
Paralajmërojnë se mbi 4.000 biznese të vogla, si tobako, kioska dhe mini-markete, rrezikojnë të mbyllen.
Pronarët po ashtu druajnë se kufizimet e reja për shitjen dhe ekspozimin e produkteve me duhan do të shkatërrojnë investimet e bëra me kredi dhe do të detyrojnë disa të mbyllin dyqanet.
Ligji ndalon ekspozimin dhe reklamimin e produkteve me duhan dhe kërkon ruajtjen e tyre në dollapë të mbyllur dhe të errët, pa ndonjë shenjë që të tërheqë klientin.
Pronarët kërkojnë një periudhë tranzitore për t’u përshtatur dhe zgjidhje të qarta për produktet e aromatizuara që nuk do të lejohen më. Pa këto masa, thonë ata, shumë biznese do të përballen me kolaps financiar dhe shkurtim të stafit.





