Mundësia e zbatimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon trajtimin. Qeveria ka formuar grup të ekspertëve dhe siguron se po punohet intensivisht për ta mbyllur. Po punohet në përputhjen e ligjit dhe rregulloreve. Nuk jepen afate se kur procesi do të përfundoj, por nga koalicioni VLEN kanë fajësuar ish ministrat shqiptarë të drejtësisë që kanë anashkaluar harmonizimin ligjor. Izet Mexhiti njëri nga liderët e koalicionit VLEN nuk ka përjashtuar mundësinë që përpos ligjit të jurisprudencës të hapen edhe ligje të tjera juridike.

“Është formuar në kuadër të qeverisë grup i ekspertëve, i cili po punon intenzivisht për ta mbyllur këtë çështje, por në të ardhmen mund të hapen edhe çështja e noterëve, çështja e disa segmenteve të tjera, të cilat janë jo deri në fund të zgjidhura, ku nuk ka përputhshmëri ndërmjet ligjit dhe rregulloreve.”, u shpreh Izet Mexhiti, njëri nga liderët e koalicionit VLEN.

Avokati i Popullit me lëndën që hapi, kërkoi nga qeveria që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin e tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterisë dhe Përmbarimit, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Paralelisht përpjekjeve të qeverisë, deputetët e opozitës shqiptare kanë dorëzuar në kuvend rezolutën e studentëve për të ushtruar të drejtën e tyre në gjuhën shqipe. Kabineti i Gashit nuk e ka caktuar akoma datën se kur do ta vente në rend dite rezolutën për votim.

“Kryeparlamentari Afrim Gashi rezolutën në fjalë e ka përcjellë në procedurë të mëtejshme parlamentare, në përputhje me kompetencat dhe detyrimet e tij institucionale.”, thanë nga kabineti i kryeparlamentarit Afrim Gashi.

Iniciativa për provimin në gjuhën shqipe buron nga studentët e drejtësisë të tre universiteteve në vend. Afati i ardhshëm për dhënien e provimit është në muajin prill, pas prolongimit në muajin shkurt.

Share.
Exit mobile version