Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit sot mori vendim fillimin e procesit të shkrirjes së saj në VLEN.
Sipas njoftimit Lëvizja Demokratike ka autorizuar Mexhitin që të vazhdojë procesin e transformimit të partisë në VLEN.
“Sonte, me propozim të Kryetarit Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike mbajti takim me strukturat partiake, me një pikë të vetme të rendit të ditës, zyrtarizimin e VLEN-it si forcë e bashkuar politike.
Duke manifestuar pjekuri të lartë politike dhe duke pranuar plotësisht mesazhin e shumicës së shqiptarëve, njëzëri e autorizuam z. Mexhiti që të vazhdojë të udhëheqë procesin e transformimit të partisë sonë dhe shkrirjen e saj në VLEN si një strukturë e bashkuar, e fuqishme dhe moderne politike.
Jemi fuqishëm të bindur se po vazhdojmë të krijojmë një mundësi historike që VLEN të vazhdojë të konsolidohet dhe ta forcojë rolin e saj si përfaqësuesja kryesore e vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Ky hap konsolidon skenën politike shqiptare dhe vendos baza të forta për pjesëmarrje dhe ndikim më të madh të shqiptarëve në jetën e ardhshme politike”, thuhet në deklaratën e LD-së./Telegrafi/

