
Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit kërkon që të ndalojmë së miratuari rezoluta dhe deklarata që nuk janë detyruese për askënd dhe që askush nuk i shqyrton ose nuk i lexon.
“Lidhja Demokratike propozon që Kuvendi i Maqedonisë t’i drejtohet Këshillit të Bashkimit Evropian me kërkesat e mëposhtme: Këshilli i Bashkimit Evropian të miratojë përfundimet e mëposhtme:
Së pari, pas pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, gjuha maqedonase duhet të jetë gjuhë zyrtare.
Së dyti, çështjet historike, të identitetit dhe të gjuhës nuk duhet të jenë bazë për bllokimin e proceseve të integrimit evropian.
Së treti, të detyrohet Bullgaria të zbatojë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të cilat do t’u mundësojnë maqedonasve në Bullgari të bashkohen për afirmimin e veçantive të tyre që lidhen me gjuhën, kulturën, historinë etj.
Në këtë mënyrë, do të demonstrohet uniteti kombëtar dhe do të provokohet një reagim nga BE-ja. Ne propozojmë veprime konkrete, jo rezoluta apo deklarata që përdoren për grindje të përditshme politike, manipulim dhe marketing politik”, thonë nga LD./Telegrafi/