Sot, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për ndërtimin dhe Ligjin për tokën ndërtimore, të propozuara nga Ministria e Transportit, me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Me ndryshimet në Ligjin për tokën ndërtimore, për herë të parë do të mundësohet një pamje e qartë e gjithë infrastrukturës linjore në vend, si kabujt optikë, rrjeti telekomunikacioni, sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimeve, rrjetet e gazit dhe naftës.
Parashikohet që kjo infrastrukturë të regjistrohet në Regjistrin e ndërtimeve infrastrukturore pranë Agjencisë për kadastrën e pasurive të paluajtshme, me qëllim të vendosjes së një rregulli më të madh në infrastrukturën nëntokësore.
Me ndryshimet ligjore, komunat do të mund të disponojnë tokën ndërtimore të parashikuar me plane urbanistike për zona teknologjiko-industriale, gjë që pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik lokal dhe realizimin më të lehtë të planeve investuese të kompanive vendase.
Gjithashtu, është bërë edhe harmonizimi i Ligjit për tokën ndërtimore me Ligjin për planifikimin urbanistik.
Sa i përket ndryshimeve në Ligjin për ndërtimin, përmirësohen kushtet për rregullimin e statusit pronësor të stacioneve bazë të kompanive të telekomunikacionit, me qëllim sigurimin e shërbimeve telekomunikuese më cilësore dhe më efikase për qytetarët.
Me këto ndryshime, parashikohet gjithashtu përmirësimi i procesit të kontrollit teknik të ndërtimeve të kategorisë së parë, përmes vendosjes së një qasjeje më profesionale dhe standardeve më të larta të cilësisë.

