Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pasdite në kuadër të seancës së 140-të, mori vendim për miratimin e akreditimeve për organizatat ndërkombëtare dhe vendore për të vëzhguar zgjedhjet lokale, të caktuara për më 19 tetor.

Për Ambasadën e Mbretërisë së Holandës u miratuan 10 vëzhgues, për Shoqatën e klubit sportiv alpinist “Kap-Struga” nga Struga – nëntë anëtarë, për Këshillin kombëtar për barazi gjinore – tetë anëtarë, për Institutin për bashkëpunim dhe zhvillim-Francë – një vëzhgues, për Fondacionin ndërkombëtar për sisteme zgjedhore Uashington-SHBA dega në Maqedoninë e Veriut – shtatë anëtarë dhe për misionin vëzhgues të ODIHR-së – Zyra për Institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut – shtatë persona.

“Bazuar në këtë autorizim, do të lëshohen karta identifikimi të cilat do të shërbejnë si identifikim për vëzhguesit e akredituar. Çdo vëzhgues i autorizuar, i akredituar duhet të respektojë kodin e rregullave për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe procedurën zgjedhore të miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve”, theksoi anëtarja e KSHZ-së, Svetllana Karapetrova.

Deri tek KSHZ-ja u dorëzuan pesë ankesa në lidhje me të drejtat personale të votimit, gjegjësisht ato të cilët kishin të bënin me të drejtën e qytetarëve për të kontrolluar të dhënat e tyre në Listën e votuesve. Të gjitha pesë ankesat u refuzuan nga anëtarët e KSHZ-së. Ankesa e parë u refuzua si e pabazuar pasi KSHZ-ja përcaktoi, pas kryerjes së një kontrolli, se personi ishte i regjistruar në Listën e votuesve. Ankesa e dytë u refuzua sepse personi nuk e kishte raportuar vendbanimin e tij të fundit në Maqedoni, si kusht për t’u regjistruar në Listën e votuesve. Ankesa e tretë u refuzua sepse KSHZ-ja përcaktoi se personi ishte i mitur dhe nuk i plotësonte kërkesat për t’u regjistruar në Listën e Votuesve. Ankesa e katërt u refuzua sepse KSHZ-ja përcaktoi se personi ishte regjistruar siç duhet në Listën e votuesve. Ankesa e fundit e pestë u refuzua gjithashtu për shkak se personi që e paraqiti ankesën, sipas dokumenteve të tij personale, nuk e kishte raportuar vendbanimin e tij të fundit në Maqedoni, si kusht për t’u regjistruar në Listën e votuesve.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, informoi se personat mund të kontrollojnë ueb faqen e internetit të KSHZ-së për vendin e votimit dhe të gjithë personave do t’u dërgohen vendimet përmes postës elektronike në adresën e tyre personale të email-it.

Share.
Exit mobile version