
Dhurimi i gjakut mbetet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të sistemit shëndetësor dhe një akt i domosdoshëm humanitar që shpëton jetë çdo ditë. Në një kohë kur nevojat për gjak janë të vazhdueshme, roli i qytetarëve vullnetarë mbetet i pazëvendësueshëm.
Sipas Kryqit të Kuq të Shkupit, sidomos të rinjtë po tregojnë vetëdije gjithnjë e më të madhe për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe po marrin pjesë rregullisht në aksionet humanitare, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbulimin e nevojave të spitaleve dhe klinikave në vend.
“Të rinjtë e kuptojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe i kemi si dhurues të rregullt në aksionet tona. Nëse edhe më tutje, në bashkëpunim me Institutin për Transfuziologji, arrijmë t’i plotësojmë nevojat e sistemit shëndetësor, mund të flasim për një praktikë të suksesshme që garanton se nuk do të ketë krizë të gjakut edhe në të ardhmen. Gjaku nuk mund të prodhohet artificialisht dhe duhet të dhurohet, prandaj duhet të vazhdojmë të bindim qytetarët të dhurojnë sa më shumë”, tha Drejtori i Kryqit të Kuq të Shkupit, Sait Saiti.
Nga Kryqi i Kuq theksojnë se aktivitetet për promovimin e dhurimit të gjakut do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me fokus të veçantë te solidariteti dhe humanizmi.
“Për të dhuruar gjak duhet të fillohet prej 18 viteve e sipër deri 65 vjet nëse bëhet fjalë për mashkull, ndërsa 64 nëse bëhet fjalë për femër. Kështu që para 18 viteve nuk mund të fillohet të jepet gjak, edhe pas 64 viteve nuk është e preferuar të jepet gjak. Kështu që mosha 18-64 vjet është moshë e lejuar për dhurimin e gjakut”, shprehet Saiti.
Nga Kryqi i Kuq apelojnë që qytetarët që plotësojnë kushtet shëndetësore dhe të moshës, të vazhdojnë të dhurojnë gjak, sepse një dhurim i vetëm mund të shpëtojë deri në tre jetë njerëzish. /rtvm2




