Regjisori Ibër Deari është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo”, me të cilin kemi diskutuar për sukseset e filmit “Krejt e thirrin Rexhën”, si dhe projektet e tjera të tij.

Ai theksoi se premiera e radhës e filmit “Krejt e thirrin Rexhën”, është në Bruksel, ndërsa tha se janë shitur të gjitha biletat. Deari gjithashtu theksoi për vështirësitë që ka hasur deri në përfundimin e filmit, si dhe si ka lindur si ide.

“Gjenerata e re e filmbërësve aplikojmë me skenar dhe aplikojmë për të fituar projekte. Bashkë me skenaristin Artin Selmanin që është nga Gostivari kemi shkruar edhe skenare tjera, por nuk kemi fituar. Pastaj erdhëm me temën “Krejt e thirrin Rexhën”, aplikuam në Agjencinë e filmit, herën e parë na refuzuan, herën e dytë fituam, por pastaj erdhi pandemi dhe e lamë anash. Duke u kthyer në realitet pas pandemisë dhe pas rritjes së buxhetit filluam me xhirimin e filmit, por sërish u zgjat xhirimi i filmit, pasi jetojmë në shtet të dokumenteve dhe kishte procedura të shumta, por ia ka vlejtë pasi filmi është pëlqyer shumë”, tha Deari.

E pyetëm se çfarë ka mësuar nga realizimi i filmit “Krejt e thirrin Rexhën”, Deari tha se ka nxjerrë shumë mësime nga kjo.

“Mësimi që e kam marrë nga filmi është mënyra se si të mos bëjë film. Shumica shohin se si të fitojnë prej filmave, ndërsa ka pak persona që e duan realisht. Nuk duhet të presim që dikush të të ndihmojë. Financiarisht nuk kam fituar asgjë nga ky film. Qëllimi im ka qenë të krijojmë film të mirë shqiptar. Jemi ekip i ri dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”.

“Për ne e rëndësishme është që mos të na ndalojnë të bëjmë filma. Kam pasur pengesa nuk na kanë dhënë fonde, por nuk jemi ndalur. Personalisht asnjëherë nuk kam menduar të bëjë para nga filmat. Ka shumë filma që prodhohen tek ne, por pak promovohen, pra mjetet që i marrin nga shtetet nuk i harxhojnë të gjitha për filmin”, tha Deari.

Ndërsa sa i përket inteligjencës artificiale në fushën e filmit, ai tha se AI është realitet dhe se filmbërësit duhet vetëm të përshtaten.

“Inteligjenca artificiale është duke e ndryshuar çdo muaj industrinë e filmit. Shumë njerëz ka lënë pa punë. Ajo mund të shkruajë skenare, por nuk e di sa mund të jenë reale. Inteligjenca artificiale na ka ndihmuar në dokumentarin “Antigona” për fshirjen e disa objekteve. Gjithashtu na ka ndihmuar në kuadër. Inteligjenca artificiale është realitet dhe ne vetëm duhet të adaptohemi”, tha mes tjerash Deari./Telegrafi/

“Krejt e thirrin Rexhën”, regjisori Ibër Deari flet për suksesin e filmit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version