
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme kanë realizuar kontrolle në disa lokale në rajonin e Pollogut, ndërsa në një lokal, janë gjetur 6 të mitur, të cilëve u ishte shërbyer alkool.
“Më 19.12.2025 në periudhën prej ora 22:10 deri në 23:55, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë në bashkëveprim me Inspektoratin Shtetëror të Punës, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Drejtorinë e të Hyrave Publike, kanë kryer kontroll aksion në objektet hoteliere në rajonin e SPB Tetovë. Me këtë rast, në një objekt hotelier në Tetovë në rrugën “Jovan Onçevski” ku si menaxherë janë paraqitur I.S. (23) dhe M.J. (22), të dy nga fshati Bërvenicë, janë hasur gjashtë persona të mitur, të cilëve u ishin shërbyer pije alkoolike. Të miturit u janë dorëzuar prindërve të tyre dhe kundër pronarëve do të vijojë parashtresë përkatëse në lidhje me veprën penale të kryer “shërbim i alkoolit për të mitur” sipas nenit 204 të Kodit Penal të RMV-së, ndërsa nga ana e organeve të tjera janë ndërmarrë masa dhe aktivitete nga kompetenca e tyre.”, thonë nga SPB-Tetovë.





