Në Gostivar këto ditë kanë filluar punimet për rregullimin e parkut të qytetit, një projekt që synon ta shndërrojë këtë hapësirë në një zonë moderne, funksionale dhe gjithëpërfshirëse për rekreacion dhe pushim.
Siç informojnë nga komuna, projekti parashikon “një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore dhe estetike, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe krijimin e një hapësire rekreative moderne”, kurse ndër ndërhyrjet kryesore është ndërtimi i një ure këmbësorësh që do të lidhë të dy anët e parkut dhe do ta lehtësojë lëvizjen e vizitorëve.
“Po bëhet transformimi i Parkut të Qytetit në kuadër të projektit “Lidhja e rajoneve”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA dhe Komunës së Gostivarit. Në kuadër të këtij projekti po realizohet ndërtimi i urës për këmbësorë që lidh dy anët e parkut, ndërsa punimet tjera përfshijnë rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra, rikonstruksionin e shtigjeve, pajisje të reja urbane dhe ndriçim publik me kandelabra”, shprehet Limani.
Me realizimin e këtij projekti, siç thonë nga komuna, parku i qytetit në Gostivar pritet të marrë një pamje të re, moderne dhe të bëhet një vend i preferuar për rekreacion për të gjitha gjeneratat.

