
Këshilli i Bashkimit Evropian mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet një objektiv strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe i bën thirrje të intensifikojë përpjekjet e saj për të çuar përpara reformat që lidhen me BE-në. Kjo thuhet, ndër të tjera, në draft-përfundimet e Këshillit të Zgjerimit të BE-së, përpara samitit të Unionit dhe udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet nesër, më 17 dhjetor në Bruksel, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Duke kujtuar përfundimet e korrikut 2022, Këshilli vëren se Maqedonia e Veriut ende nuk i ka miratuar ndryshimet kushtetuese për të cilat është zotuar.
“Këshilli konfirmon gatishmërinë e tij për të thirrur një konferencë tjetër ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme ose vendime shtesë politike, pasi Maqedonia e Veriut të ketë zbatuar këtë angazhim, në përputhje me procedurat e saj të brendshme”, thuhet në dokument, përcjell “REL”.
Në konkluzionet gjithashtu thuhet se Këshilli është gati të hapë grupin e parë të negociatave sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me Kornizën Negociuese.
Draft-përfundimet bazohen në raportet e mëparshme të progresit të BE-së mbi vendet kandidate për anëtarësim në BE. Përveç Maqedonisë së Veriut, ato vlejnë edhe për pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën), si dhe Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë./Telegrafi/





