Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski konfirmoi se prej Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor (ISHSSH) sot është kërkuar të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në Spitalin e përgjithshëm në Kavadar dhe në Klinikën për fëmijë në Shkup, në lidhje me vdekjen e fëmijës trevjeçar nga Kavadari.
“Po, gjithsesi do të organizohemi nesër për mbikëqyrje”, kështu pasdite u përgjigjën nga Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor për MIA-n, në lidhje me vdekjen e fëmijës trevjeçar nga Kavadari, prindërit e të cilit thanë për Agjencionin Informativ të Maqedonisë se po kërkojnë hetim për ekzistimin e mundshëm të gabimit mjekësor.
Prindërit e djalit nga Kavadari, i cili vdiq mëngjesin e djeshëm gjatë rrugës për në klinikat e Shkupit, u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente në vend që të hetojnë gabimin e mundshëm mjekësor në lidhje me vdekjen e fëmijës së tyre.
“Në mëngjes, në orën tre pa njëzet minuta, gruaja ime më zgjoi me fëmijën në krahë, të malaksuar dhe më tha të çohesha shpejt sepse djali nuk ndihej mirë. Fillimisht kërkuam ndihmë mjekësore në Kavadar, por më duket se situata jonë nuk u mor seriozisht. Prandaj kërkojmë që të formohet një komision për të përcaktuar rrethanat e sakta në të cilat ndodhi vdekja, ai humbi jetën në krahët tonë”, tha babai Toni Stojanov.
Siç më herët kumtuan nga policia, fëmija trevjeçar është sjellë i vdekur në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup.
Policia informoi se në bisedë zyrtare, nëna e tij T.GJ.S. (36) nga Kavadari deklaroi se rreth orës 3:00 të mëngjesit e çoi në Spitalin e përgjithshëm të Kavadarit, prej ku i dërguan në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku në orën 8:45 u konstatua vdekja.
Kërkohet inspektim i jashtëzakonshëm për vdekjen e fëmijës trevjeçar nga Kavadari appeared first on Telegrafi.