Kryetari i Lëvizjes Besa, Billall Kasami mblodhi sonte Kuvendin Qendror të partisë, për të diskutuar siç tha ai pozitën e tyre partiake në qeverinë aktuale, informon Telegrafi Maqedoni.
Në press konferencë, Kasami tha se është marrë vendimi për shkarkimin e Kryesisë së partisë, dhe vazhdimin e iniciativës drejt unifikimit në VLEN.
“Kuvendi i Lëvizjes BESA miratoi shkarkimin e Kryesisë së Besës, si vazhdimësi e kalimit të partive tona në një të vetme në VLEN. Unë jam i autorizuar për zhvillimin e bisedimeve për të ardhmen e VLEN-it. Anëtarët poashtu përkrahën edhe analizën time se Lëvizja BESA ka kapacitet për më shumë punë dhe hapësirë në qeveri”, tha Kasami.
Kasami tha se si parti pjesë e VLEN-it janë e vetmja parti që kanë të konsoliduara të gjitha organet partiake.
Poashtu, Kasami tha se gjatë ditëve në vijim do të monitorohet e gjithë puna e ministrave të Lëvizjes Besa, për të siguruar punë konkrete dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. /Telegrafi
