Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Ansamblit Muzikor në Tetovë, i cili përmendet si institucion me kapacitete të kufizuara, ndërsa paralajmërohet edhe “racionalizimi”.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, i pyetur nga gazetarët tha se Ministria e Kulturës ka bërë plan për të funksionalizuar institucionet, ndërsa tha se më e rëndësishme për të është që institucionet kulturore të jenë në shërbim të qytetarëve.
“Ne e dijmë që Ministria e Kulturës ka bërë plan të asaj se si është funksionalizimi i institucioneve kulturore dhe se ata janë në shërbim të kulturës dhe qytetarëve. Ka raport në të cilin parashihet edhe riorganizimi i Ansamblit me dhjetëra institucione tjera”.
“Ajo që për ne është me rëndësi është që ai institucion të jetë në funksion dhe shërbim të qytetarëve, duke nisur fillimisht nga punësimi i punëtorëve kulturor dhe punohet në drejtim të marrjes së pëlqimit për punësimin e të njëjtëve. Për ne më me rëndësi është punësimi i kuadrit të stafit të ansamblit dhe ata të punësuar të jenë në shërbim të kulturës tetovare”, deklaroi Kasami.

