Kardiologu Valon Asani, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për shëndetin e zemrës, parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe rastet më të rënda që ai ka operuar në Spitalin e Tetovës.

Asani tha se kohën e fundit është rritur numri i personave të rinj, të cilët pësojnë incidente kardiovaskulare, ndërsa tha se faktorët janë të ndryshëm. Ai gjithashtu theksoi se në vit në spitalin e Tetovës operon prej 50-70 raste me sëmundje kardiovaskulare, të cilat konsiderohen si të rënda.

“Problemet kardiovaskulare janë probleme numër një, edhe me vdekshmëri edhe me pasoja tjera, nëse nuk i marrim masat e nevojshme. Është e rëndësishme që treguesit për incident kardiovaskular të merren seriozisht dhe të reagohet në kohë. Nëse është i dyshuar për probleme kardiovaskulare ka dhimbje angioze, e cila tani ndodh tek të rinjtë, gjë që ndikon mënyra e re e jetesës – cigarja, alkooli, pijet energjike, këto janë si sulm atomik në organizëm. Mandej vijnë edhe faktorët gjenetikë, të cilët nuk janë të ndryshueshme”.

“Fatkeqësisht kohën e fundit është shtuar numri i pacientëve të rinj të grupmoshës 30-40 vjet. Ballafaqohemi me numër të shtuar të incidenteve kardiovaskulare. Te grupmoshat e vjetra jemi mësuar, të cilët janë ato të moshës 60-70 vjeçare. Por ata e marrën rendin dhe ballafaqimin me sëmundjen, të cilët ndonjëherë janë më të përgjegjshëm se pacientët e rinj”, tha mjeku Asani, i cili tha se është e rëndësishme të bëhen kontrolle të rregullta.

Ai tha se stresi është ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare.

“Stresi është ndër faktorët e rritën incidentin e sëmundjeve kardiovaskulare, nërast se në çdo kohë ballafaqohemi me stres dhe kemi disbalans hormonal, shtohet mundësia e paraqitjeve të sëmundjeve kardiovaskulare. Tani nuk ka familje ose individ që nuk ballafaqohet me stres, por është e rëndësishme të menaxhohet mirë”.

“Në repartin në Tetovë, kohën e fundit operoj vetëm rastet më të rënda dhe merrem edhe me sëmundje periferike. Në vit në Tetovë i bëj prej 50 deri 70 raste, të cilët konsiderohen si raste të rënda, në terminologjinë mjekësore. Do ta përmend një rast të një 32-vjeçari në atë kohë, i cili ka qenë mjaft i vështirë, si dhe kur ua tregoj profesorëve nuk e besojnë. Tani ai ka bërë 39-vjeç dhe është shumë mirë”, tha mes tjerash mjeku Valon Asani.

Ai gjithashtu tha se rajoni i Gostivarit është vend më endemik sa i përket sëmundjeve kardiovaskulare. Asani poashtu tha se vazhdimisht trajnon mjekët në mënyrë që të reagojnë në mënyrën e duhur edhe te pacientët me sulme në tru./Telegrafi/

Kardiologu Valon Asani: Rritet numri i pacientëve të rinj me sëmundje kardiovaskulare appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version