
Kandidatët për kryetarë komunash nga koalicionet VLEN dhe AKI, edhe gjatë ditës së sotme (6 tetor) kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.
Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami premton transport publik falas në Tetovë, përcjell TV21. Kasami thotë se do të blihen edhe autobusë të rinj elektrik.
“Tetova lëviz përpara me transport publik falas, funksional dhe efikas!Transporti publik në Tetovë dikur ishte jofunksional, por sot është realitet në zhvillim! Në mandatin e parë e ngritëm nga themelet, ndërsa në mandatin e dytë do ta modernizojmë plotësisht. Do të blejmë 5 autobusë dhe 5 minibusë elektrikë, për të zgjeruar rrjetin urban e për të përfshirë edhe fshatrat malorë. Do të ndërtojmë stacionin e ri modern të autobusëve në BU 58, funksional, i sigurt dhe i integruar me rrjetin e transportit publik. Në përputhje me planin e mobilitetit, krijojmë korsi të veçantë për transport publik dhe biçikleta në bulevardet kryesore të qytetit”, tha Kasami.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi thotë se rruga për në fshatin Xhermë ka të njëjtin fat si të gjitha rrugët e malësisë së Tetovës, respektivisht se është e shkatërruar dhe pa asnjë investim gjatë 4 viteve. Rexhepi thotë se në programin e tij parashikon zhvillim të balancuar infrastrukturor, si urban ashtu edhe rural. Theksoi se ndërtimi i rrugëve në fshatrat malore do të nxisë zhvillimin e turizmit malor dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në ekonominë lokale.
“Ne planifikojmë të ndërtojmë rrugë me standarde bashkëkohore që do të jenë në funksion të zhvillimit rural dhe në shërbim të qytetarëve të kësaj ane. Çdo rrugë me standarde evropiane”, tha Rexhepi.
Kandidati i AKI-së, për postin e kryetarit të Çairit, Bujar Osmani, tha se nga analizat e bëra, rezulton se Çairit i mungon një vizion dhe strategji për sportin, se nuk ka salla sporti, ndërsa ato që janë, ose nuk janë funksionale ose jepen në mënyrë jo transparente dhe korruptive.
Ai premton revitalizim të fushave dhe sallave të sportit, me qëllim që t’u ofrohet qytetarëve të Çairit, mundësi që të bëjnë sport qoftë për rekreacion, qoftë për shëndetin e tyre.
Do të nisim fillimisht me revitalizimin e fushave dhe sallave sportive, i keni këtu mbrapa meje, palestrën sportive ‘Enver Idrizi’ në Serovë, me të gjitha nevojat që duhet të plotësohen për ofertë, për shërbim sportiv në bazë të standardeve, palestrën sportive ‘Vasil Gllavinov’ menjëherë, edhe pse e dini që ‘Vasil Gllavinov’ është pjesë e projektit të madh të Mishell Rojkin për shkollë të re, çerdhe të re, parking nëntokësor dhe kënd lojërash. Pastaj palestra sportive ‘Imri Elezi’ në lagjen Dizhon, rinovim i tërësishëm i sallës, palestra sportive liria në Gazi Babë,” tha Bujar Osmani, kandidat i AKI-së për komunën e Çairit.
Ndërsa kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, premtoi ndërtimin dhe instalimin e ashensorëve modern në të gjitha ndërtesat e Çairit. Mexhiti tha se ekipet tashmë janë në terren, po bëjnë vlerësimet teknike të detajuara, ndërsa analiza fillestare tregon se ekzistojnë kushte teknike për vendosjen e 81 ashensorëve në 81 hyrje të 81 ndërtesave, pa pasur nevojë për ndërhyrje shumë të mëdha.
“Fillojmë projekt kapital për ndërtimin dhe instalimin e ashensorëve modern në të gjitha ndërtesat ekzistuese në territorin e Çairit, të cilat nuk kanë, por kanë nevojë për ashensorë. Për dekada, banorët e ndërtesave të vjetra, ma 4 ose 5 kate, përballen me një sfidë të madhe, mungesën e ashensorëve. Për fqinjët tanë të moshuar, për personat me vështirësi në lëvizje, për familjet me fëmijë të vegjël, ngritja e përditshme nëpër shkallë është një mundim i madh, kjo kohë merr fund. Ky nuk është një premtim i zbrazët, përkushtimi im është i dukshëm në vepra,” tha Izet Mexhiti, Kandidat i VLEN-it për Çairin./Telegrafi/