Të rinjtë deri në 23 vjeç, të punësuar në sektorin e prodhimit, do të përfitojnë mbështetje financiare prej 3000 denarësh çdo muaj.
Këtë e garanton ligji i ri për shtesa rinore, e propozuar nga Ministria e Ekonomisë, e që mori dritë jeshile në seancën e fundit të Qeverisë.
“Ky ligj në fakt është edhe një bazë e planit aksional të punësimit, apo planit operativ siç e njeh qytetari ndryshe, për vitin 2026. Ky plan operativ për momentin është duke u rrumbullakuar, plus vien edhe ky ligj si një bazë. Plani operativ 2026 gjithsesi do të jetë njëlloj ambicioz posaçërisht në mbështetjen e të rinjve, njëlloj sikur që ishte plani operativ për vitin 2025 ku kishim 40 milion euro mbështetje për punësim, që në fakt ishte për 7,5 milion euro më shumë se kurdoherë në historinë e RMV-së,“ tha Venera Azizi Latifi, Zëdhënëse e Qevrerisë.
Sipas zëdhënëses së Qeverisë, Ligji i ri e zgjat këtë mbështetje deri në vitin 2028, duke ofruar siguri dhe parashikueshmëri si për të rinjtë, ashtu edhe për bizneset.
“Këtu dua të përmendi gjithashtu, duke prezantuar edhe këtë ligj, do të përmendi të rinjtë që ishin të përfshirë në planin aksional të vitit 2025, ku vërehet se nga 13 mijë persona që kanë marrë mbështetje në këtë drejtim, 70, 9 përqind janë të rinj deri në moshën 29 vjeç,“ tha Venera Azizi Latifi, Zëdhënëse e Qevrerisë.
Ekzekutivi pret që pas përfundimit të procedurave teknike të Qeverisë, ligji të futet në procedurë kuvendore, ku edhe presin mbështetje të plotë nga deputetët.

