Java e gjashtë e kampionatit futbollistik të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet gjatë mesjavës, duke nisur nga e marta dhe që do të mbyllet të enjten, raporton Telegrafi.

Programi hapet me dy duele interesante. Në Kumanovë, Bashkimi do të sfidojë liderin e tabelës Sileksin, skuadër që ende nuk ka shijuar humbjen dhe ka pranuar vetëm një gol pas pesë javësh. Nga ana tjetër, vendasit synojnë kthimin tek rezultatet pozitive. Ndeshja tjetër e ditës është mes Makedonija Gj.P dhe AP Breras, dy ekipe që vijnë me formë të ndryshme.

Të mërkurën, vëmendja do të jetë e gjitha tek super derbi Struga – Shkëndija. Të përzgjedhurit e trajnerit Bledi Shkëmbi kanë një ecuri perfekte me pesë fitore nga pesë ndeshje dhe një golaverazh mbresëlënës, 14:1. Në krahun tjetër, Shkëndija e Jeton Beqirit ka vetëm një barazim deri tani, por edhe përkundër angazhimeve në Ligën e Konferencës, mbetet e fokusuar për mbrojtjen e titullit kampion.

Në të njëjtën ditë, në Kavadar, dy skuadrat e fundit në renditje përballen mes vete – Tikveshi pret Shkupin, që pas pesë xhirove mbetet pa pikë dhe gjendet në një krizë të thellë rezultatesh.

Të enjten, Arsimi i Çegranit, pas fitores së madhe në Manastir ndaj Pelisterit, do të kërkojë një tjetër befasi ndaj Vardarit. Java e gjashtë do të mbyllet me duelin Rabotniçki – Pelisteri. Të gjitha ndeshjet luhen me fillim nga ora 15:30. /Telegrafi/

Programi i plotë i javës së gjashtë:

16.09 – ora 15:30

Bashkimi – Sileksi

Makedonija GP – AP Brera Strumicë

17.09 – ora 15:30

Struga – Shkëndija

Tikveshi – Shkupi

18.09 – ora 15:30

Arsimi – Vardari

Rabotniçki – Pelister

Share.
Exit mobile version