
“Konferenca rajonale “Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore” kishte qëllim të qartë: të vendosë bashkëpunimin akademik si prioritet strategjik për rajonin dhe të pozicionojë gjashtë shtetet më lart në rrjetet evropiane dhe globale të arsimit të lartë, duke rritur dukshmërinë dhe ndikimin e tyre. Kjo është e rëndësishme sepse po përballemi me sfida reale demografike që kërkojnë modele të reja për tërheqjen dhe mbajtjen e studentëve dhe kuadrove. Mungesa e aftësive dhe emigrimi i talenteve nuk mund të zgjidhen në mënyrë të izoluar, por përmes mobilitetit, qarkullimit të ideve dhe, mbi të gjitha, përmes zgjidhjeve të përbashkëta”.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në mbyllje të konferencës, në të cilën gjatë dy ditëve të fundit u prezantuan ide të shumta, përvoja dhe drejtime për avancimin e internacionalizimit dhe përforcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit të lartë.
Gjithashtu u theksua rëndësia e investimit në dije, inovacione dhe lidhje me industrinë, si dhe harmonizimi i programeve të studimit me nevojat e tregut të punës, si bazë për krijimin e sistemit konkurrues dhe inovativ të arsimit të lartë.
“Ne jemi shtete të vogla në një rajon me potencial të madh. Investimet e shtuar në arsimin e lartë, të bazuara në bashkëpunim rajonal dhe shkëmbim përvojash brenda rrjeteve dhe iniciativave evropiane, por edhe më gjerë, do të na ndihmojnë të ndajmë burime, të krijojmë projekte të përbashkëta dhe të ndërtojmë qendra inovacioni që do të shpejtojnë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror për të gjithë ne”, u shpreh Janevska.
Në periudhën e ardhshme pritet përmbledhja e sugjerimeve dhe propozimeve, si dhe shndërrimi i tyre në prioritete dhe masa konkrete që do të inkurajojnë rajonin drejt më shumë mobiliteti, bashkëpunimi dhe inovacioni.




