Akoma nuk ka një Qëndrim konkret nga universitetet për draft-ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili prej dje është rikthyer për konsultim publik në ENER.

Stafit akademik i është dhënë një afat prej disa ditësh për të shqyrtuar nëse në versionin e përmirësuar janë marrë parasysh kërkesat dhe vërejtjet e tyre. Sipas përfaqësuesve universitarë, aktualisht po analizohet ligji në fjalë dhe deri të premten pritet të përfundojnë të gjitha analizat e detajuara.

Megjithatë, në një vlerësim të parë, thuhet se ndryshimet janë të pakta. Burime të televizionit Alsat vlerësojnë se bëhet fjalë vetëm për një makijazh formal, pa ndryshime thelbësore.

Nga ana tjetër, burime nga universitete të caktuara shprehin shqetësimin se përmes këtyre ndryshimeve synohet vendosja e kontrollit më të madh mbi funksionimin e universiteteve nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria. Sipas tyre, me ndryshimet ligjore, edhe mjetet e brendshme të universiteteve mund të mos shfrytëzohen pa miratim nga Ministria e Arsimit.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit thotë se drafti përmban përmirësime të rëndësishme. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska një ditë më parë deklaroi se janë bërë një sërë ndryshimesh në propozim-ligj.

Ajo theksoi uljen e numrit të punimeve shkencore për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ndryshimet në përbërjen e këshillit, si dhe përfshirjen e bazës “Scopus” për shkencat sociale dhe humane, pa përjashtuar “Web of Science”. Sipas ministres, Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë do të hartojë edhe një listë të re revistash shkencore për publikim, e cila do të merret parasysh në avancimin akademik./Alsat.mk.

Share.
Exit mobile version