“Shkolla është vendi ku ndërtohet kultura e sjelljes pa dhunë dhe fitohen aftësi për të ndërtuar miqësi në vend të konflikteve. Fëmijët që të vegjël duhet të edukohen se nuk ka asgjë tërheqëse në mbajtjen e armëve. Kjo duhet t’u shpjegohet në përputhje me moshën e tyre, por me këmbëngulje dhe me shembuj”.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në ngjarjen në SHMQSH “Vllado Tasevski” në Shkup, me të cilën u shënua fillimi i fushatës së OSBE-së për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta.

“Kur mjedisi shkollor është i qetë dhe harmonik, fokusi i nxënësve drejtohet drejt arritjeve në të mësuar. Të rinjtë zhvillojnë shpirtin konkurrues përmes përdorimit të njohurive, aftësive, kreativitetit dhe inovacionit, e jo përmes përdorimit të forcës fizike apo armëve. Në të kundërt, vëmendja shpërqendrohet nga incidente që nuk duhet të ndodhin as në shkolla, as jashtë bankave shkollore. Prandaj, e përshëndes iniciativën e OSBE-së dhe uroj sukses në zbatimin e saj”, thеksoi Janevska.

Ministrja theksoi se në ballafaqimin e kësaj sfide rol të rëndësishëm kanë shkollat, por megjithatë, baza e kulturës fitohet në familje-edukimi fillon nga shtëpia dhe që në moshë shumë të hershme.

“Të gjithë ne besojmë se po i mësojmë fëmijët me vlerat e duhura dhe se nuk është e mundur që ata të bëjnë përjashtim nga rregullat që jemi të detyruar t’ua tregojmë. Por vitet e rinisë janë gjithashtu të mbushura me vrull, energji, ndonjëherë edhe me mendime që nuk janë fort të qarta, për shkak të arsyeve të ndryshme që mund të shkaktojnë shpërthim të reagimeve mendore dhe fizike. Prandaj, vlerësoj se kontroll i herëpashershëm i çantës së fëmijës nga ana e prindërve, gjatë daljes nga shtëpia për në shkollë, nuk është i tepërt”, tha Janevska, duke shtuar se çdo sjellje e pazakontë e vërejtur ose çantë në të cilën nuk ka vetëm tekste shkollore, fletore dhe mjete shkollore është alarm për veprim, i cili duhet të fillojë me bisedë me fëmijën, ndërsa sipas nevojës të kërkohet edhe ndihmë nga palë të tjera.

Në kuadër të fushatës janë parashikuar vizita nëpër shkolla, njohja e nxënësve me rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta përmes prezantimeve nga përfaqësues të sektorit të punëve të brendshme, prezentimin e videove promovuese, kuize digjitale dhe shpërndarje broshurash.

Share.
Exit mobile version