Qeveria dhe komuniteti i biznesit, në fushën e arsimit, kanë përkushtim të përbashkët për krijimin e brezave që jo vetëm posedojnë njohuri, por edhe mund t’i zbatojnë ato, të rinj kreativë dhe përgjegjës që janë të përgatitur për sfidat e tregut modern të punës. Ky është themeli mbi të cilin po ndërtojmë sistemin e arsimit dual, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në aktivitetin promovues ku u diskutuan rezultatet dhe progresi i konceptit të arsimit dual, të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
“Është fakt që arsimi profesional dual është modeli ynë i suksesshëm arsimor, të cilin e kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve të fundit dhe po jep rezultate të shkëlqyera. Këto maten me numrin gjithnjë në rritje të nxënësve që e zgjedhin atë, si dhe me rritjen e vazhdueshme të kompanive që përfshihen, gjë që është e kuptueshme, sepse është mënyra më e mirë për të marrë staf të ri që ata vetë e kanë trajnuar”, deklaroi Janevska.
Numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin e mesëm për vitin shkollor 2025/2026 është 65,858, prej të cilëve 43,187 janë në arsimin profesional, dhe 21,640 në arsimin e mesëm – gjimnaz përafërsisht 70% e nxënësve janë regjistruar në arsimin profesional. Nga numri i nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, 13,371 janë regjistruar në arsimin dual, ose përafërsisht 30% e të gjithëve të regjistruar në arsimin profesional.
Ministrja në fjalimin e saj theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka partneritet të shkëlqyer me odat ekonomike, agjencitë zhvillimore gjermane dhe zvicerane, Suedinë dhe Austrinë, si dhe me komunat, në krijimin e politikës së regjistrimit sipas nevojave reale të tregut të punës, për avancimin dhe promovimin e arsimit dual.
“Edhe në konkursin e ri për regjistrim në arsimin e mesëm, për vitin shkollor 2026/2027, fokusi do të jetë në arsimin dual, ndërsa drejtimet ekzistues dhe drejtimet e reja do t’i përshtatim në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale dhe kompanitë”, tha Janevska, duke shtuar se pret që i njëjti sukses të përsëritet edhe në arsimin e lartë me studimet profesionale. Komuniteti akademik, potencoi ministrja, është i gatshëm të vendosë programe studimi që do të jenë vazhdim i arsimit dual të mesëm, si dhe studime ndërdisiplinore me universitete të huaja, shkëmbim studentësh dhe projekte të përbashkëta.
“Pas gjithë kësaj që po them, qëndron vendosmëria e Qeverisë dhe vendosmëria ime personale për t’iu ndihmuar të rinjve që të marrin arsim cilësor dhe të përfundojë koha kur ne i shihnim ata vetëm si potencial që nuk arrinim ta shfrytëzonim këtu, në vend”, shtoi Janevska.
Deri më tani, rreth 700 kompani kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me shkollat e mesme profesionale, përkatësisht ato paraqiten si punëdhënës ku zbatohet arsimi dhe trajnimi praktik. Nga gjithsej 76 shkolla ku zbatohet arsimi profesional, në 67 shkolla të mesme janë formuar paralele duale.

