Tashmë janë rezervuar 15 terminet e para për takim me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, ishte bërë e ditur në konferencën e sotme për media në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Reforma e vërtetë fillon atëherë kur institucioni ndalon së foluri me veten dhe fillon ta dëgjojë popullin me mendje të hapur dhe qëllim të qartë për ndryshim. Për këtë, sot nuk prezantojmë vetëm ueb-faqe të re, por krijojmë institucion që dëgjon dhe reagon”, tha Aliu.

Përmes mjetit Kabineti i hapur, siç përkujtoi ministri, çdo qytetar mundet drejtpërdrejtë të caktojë takim me të, çdo të premte, pa barriera dhe burokraci.

“Sy më sy, bisedë njerëzore me respekt, përgjegjësi dhe gatishmëri për zgjidhje konkrete. 15 terminet e para tashmë janë rezervuar. Kjo është dëshmi se qytetarët kanë çka tregojnë dhe përfundimisht ka se kush t’i dëgjojë. Unë jam këtu që t’i dëgjoj”, theksoi Aliu

Kjo nismë, vlerëson ai, nuk është vetëm shërbim, por qëndrim.

“Ajo është qëndrim. Qëndrim se shëndetësia nuk guxon të jetë sistem i mbyllur, por organizëm i gjallë që komunikon, sistem që përfshin dhe reagon me kohë. Shëndetësi që komunikon, përfshin dhe reagon nuk guxon të jetë vetëm slogan. Ai është detyrim publik. Detyrim të cilin unë si ministër, e pranoj me përgjegjësi të plotë dhe çdo ditë do ta përmbush me punë, llogaridhënie dhe prani personale”, shtoi Aliu.

Për vizionin e tij si ministër, ai tha se është që të ndërtohet sistem shëndetësor që flet me qytetarin, vepron me integritet dhe udhëhiqet nga besimi.

“Një sistem që nuk udhëhiqet nga përshtypjet, frika apo presionet politike, por nga të dhënat e sakta, analiza reale dhe nevojat reale të popullsisë, përfundoi Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Janë rezervuar 15 terminet e para të lira për takim me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version