
Në epokën e teknologjisë shkollat po përballen me sfida të reja. Në vend të librave dhe fletoreve, nxënësit gjithnjë e më shpesh po përdorin teknologjinë dhe mësimet e digjitalizuara. Por çfarë pasoja sjell kjo në zhvillimin e tyre?
Defektologia Ajla Bilalli paralajmëron se përdorimi i tepruar i teknologjisë mund të krijojë shenja të ngjashme me autizmin, pasi nxënësit izolohen dhe shmangin komunikimin, gjë që në raste të caktuara mund të çojë edhe në probleme psikologjike.
“Nxënësi është me zhvillim normal, nuk ka pengesa që mund të themi se është jofunksional si nxënës, por me adaptimin e shumtë të inteligjencës artificiale, në këtë rast me teknologjinë, fillimisht fillon ekranizimi. Hyn në botën virtuale dhe mendon se çfarë i shfaqet në rrjetet sociale, ashtu është edhe në jetën e përditshme. Aty fillon ekranizimi. Ekranizimi është sindrom mund ta them, por nuk është ende sindrom, megjithatë i ka pikat e ngjashme me autizmin”, theksoi Ajla Bilalli, defektologe.
Nxënësit tashmë me të madhe po përdorin Intelegjencen artificiale, por Bilalli thotë stafi arsimor nuk është ende i përgatitur për përdorimin e saj. Ajo shton se AI kërkon trajnim shtesë, qasje më moderne dhe edukim të vetë mësimdhënësve, si në shkollat fillore ashtu edhe në të mesmet.
“Nëpërmjet inteligjencës artificiale ose teknologjisë nuk i kemi aq të zhvilluara në nivelin e duhur. Me ato nxënës punohet, por punohet në mënyrën klasike, metodike. Ndërsa inteligjenca artificiale kërkon më shumë qasje, më shumë trajnime si staf i shkollës. Të gjithë mësimdhënësit, pavarësisht punës së tyre në fillore apo të mesme, duhet fillimisht të edukohen sepse kjo është diçka e re”, u shpreh Ajla Bilalli, defektologe.
Bilalli shtoi se edhe në projektet e nxënësve tashmë vërehet ndikimi i AI-së, pasi shumë punime realizohen pa mendimin personal të tyre. Sipas saj, kjo në të ardhmen mund të ndikojë negativisht edhe në drejtshkrim./TV21/