Institucionet publike po intensifikojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës tek të rinjtë përmes një bashkëpunimi më të ngushtë ndërinstitucional. Pesë ministri, së bashku me organizata dhe partnerë të tjerë, nënshkruan një deklaratë të përbashkët me fokus në krijimin e shkollave më të sigurta, promovimin e komunikimit jo të dhunshëm, forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e shëndetit mendor të të rinjve.

Autoritetet arsimore vlerësojnë se, megjithëse dhuna nuk mund të eliminohet plotësisht, ajo mund të zvogëlohet ndjeshëm përmes masave të koordinuara dhe ndryshimeve ligjore që forcojnë mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve.

“Kemi bërë ndryshime ligjore që i detyrojnë shkollat të planifikojnë aktivitete për të promovuar mirëqenien e nxënësve, mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi, si dhe për të përmirësuar komunikimin dhe respektin e ndërsjellë. Kemi forcuar shërbimet profesionale dhe kemi rivendosur detyrat e gatishmërisë së mësuesve gjatë festave”, deklaroi Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Sipas Ministrit për punë dhe politik sociale Fatmir Limani qëllimi i institucioneve është parandalimi i dhunës tek të rinjtë përmes forcimit të besimit mes nxënësve, promovimit të komunikimit pa dhunë, rritjes së sigurisë digjitale dhe mbështetjes së shëndetit mendor, me synim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe respektues për çdo të ri.

“Qëllimi ynë është të veprojmë në mënyrë parandaluese, përmes forcimit të besimit mes nxënësve, promovimit të komunikimit pa dhunë, sigurisë digjitale, mbrojtjes dhe shëndetit mendor, si dhe krijimit të një mjedisi ku çdo i ri do të ndihet i sigurt dhe i respektuar”, potencoi Fatmir Limani – ministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Kujtojmë se, rastet e fundit të dhunës mes të rinjve dhe nxënësve në shkollat e vendit kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e fëmijëve. Në mesin e incidenteve më të rënda janë keqtrajtimi i një 13-vjeçareje në Gjorçe Petrov nga bashkëmoshataret e saj, kërcënimet ndaj nxënësve përmes rrjeteve sociale në Manastir dhe plagosja me thikë e një nxënësi në Hasanbeg të Shkupit.
Këto raste kanë nxitur reagimin e institucioneve dhe kanë theksuar nevojën për masa më të forta për parandalimin e dhunës mes të rinjve.

Share.
Exit mobile version