Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po përmirëson menaxhimin e ujërave në mënyrë sistematike dhe e harmonizon me standardet e Bashkimit Evropian, theksoi sot ministri Muhamed Hoxha.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Dimitar Kovaçevski në seancën e Kuvendit të dedikuar për pyetje nga opozita, ai theksoi se gjatë periudhës së kaluar janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e kësaj çështjeje, e cila është në përputhje me përpjekjet e Qeverisë për respektimin e legjislacionit evropian dhe krijimin e një sistemi modern për menaxhimin e ujërave.
“Këto procese nuk janë vetëm deklarative, por mbështeten me masa konkrete, investime dhe partneritete me institucionet ndërkombëtare. Qasja jonë është sistematike dhe përgjegjëse. Në plan afatgjatë, ne po ndërtojmë një sistem funksional, transparent dhe modern për menaxhimin e burimeve ujore”, tha Hoxha.
Ai iu referua disa prej masave që po ndërmerren, përfshirë Programin e Menaxhimit të Ujërave për vitin 2026, i cili, siç tha, parashikon masa konkrete për përmirësimin dhe furnizimin me ujë, mbrojtjen nga përmbytjet dhe uljen e ndotjes.
Ai theksoi se janë përgatitur ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Ujërat, në përputhje me legjislacionin evropian, duke përfshirë direktivën për përmbytjet, me qëllim rritjen e transparencës, rregullimin më të mirë të shtratit të lumenjve dhe harmonizimin e sistemit të tarifave.
“Në proces është plani për menaxhimin e nivelit të ujit të lumit Vardar 2028–2033, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës, i cili është në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian për ujërat dhe vendosjen e masave. Po përgatiten masa kundër përmbytjeve për të gjithë shtratin e lumenjve me fonde IPA, ndërsa po rriten edhe investimet në infrastrukturën ujore me fonde nga Banka Evropiane e Investimeve, IPA dhe donatorë të tjerë, të cilët fokusohen në ndërtimin dhe rindërtimin e sistemeve për furnizim me ujë të pijshëm, trajtimin e ujërave të ndotura dhe përmbytjeve”, theksoi Hoxha.
Lidhur me pyetjen e Kovaçevskit në lidhje me Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Mbeturinave 2024-2036 dhe shfrytëzimin e fondeve për deponitë rajonale brenda afatit të dhënë, si dhe vërejtjen se zbatimi i projekteve në të gjitha rajonet po vonohet, Hoxha theksoi se Ministria e Mjedisit punon për të mirën e qytetarëve dhe shëndetin e tyre.
Ai theksoi se menaxhimi i deponive është në fokus të punës së tij, se është në fazën e parë, mekanizimi i nevojshëm është shpërndarë në komuna, dhe po përgatitet dokumentacioni për shpalljen e një tenderi për përzgjedhjen e një operatori ekonomik, i cili do të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme në deponitë rajonale në rajonet e Pellagonisë dhe Pollogut.
Në pyetjen se çfarë masa po merr Qeveria për të ulur ndotjen e ajrit, Hoxha tha se kemi tolerancë zero ndaj ndotësve dhe se pavarësisht funksionit, të gjithë thithim të njëjtin ajër.
“Të gjithë e dimë se kush janë ndotësit më të mëdhenj në vendin tonë, duke filluar nga amvisëritë, industria, institucionet… Jemi të përqendruar në zbatimin e masave të parashikuara në planin afatshkurtër në dimër dhe planin afatgjatë që do të zbatohet deri në vitin 2030. Gjithashtu u takova me përfaqësues të industrisë, organizata joqeveritare dhe qytetarë, dhe vazhdoj ta bëj këtë me qëllim informimin transparent të qytetarëve për ndotjen dhe nga vjen ajo”, tha Hoxha.
