Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, mori pjesë në ngjarjen “Rrugët për aftësi dhe përfshirje në sektorin e mbetjeve të ngurta”, organizuar nga Zyra e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Maqedoninë e Veriut, e cila u mbajt në hotelin “Holidej In” në Shkup, informojnë nga MMJPH.

Në fjalën e tij, ministri Hoxha u ndal te politikat sistemore në fushën e menaxhimit të mbetjeve, duke theksuar se Sistemi Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve tashmë po kalon nga koncepti në realitet.

“Është shumë e rëndësishme që Sistemi Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve nuk është më vetëm një ide në letër. Ne tashmë po ndërtojmë infrastrukturën që është baza e këtij sistemi. Prandaj, viti 2026 është viti i ndryshimeve reale. Kjo do të thotë fund i improvizimeve”, theksoi ministri Hoxha.

Ai rikujtoi se që nga fillimi i mandatit të tij, menaxhimin e mbetjeve e ka vendosur si një nga prioritetet kryesore, duke nënvizuar se janë të domosdoshme zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.

“Nuk kemi më kohë për zgjidhje të përkohshme. Na duhet një sistem i qëndrueshëm që do ta mbrojë shëndetin e qytetarëve. Në ndërtimin e këtij sistemi, është thelbësore të kemi fuqi punëtore dhe aftësi të përshtatshme sipas nevojave”, theksoi Hoxha.
Ministri vuri në pah edhe rolin e rëndësishëm të partnerëve evropianë në procesin e vendosjes së një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve.

“Partneriteti ynë me BERZH-in dhe Bashkimin Evropian nuk është formalitet, por një mjet për zgjidhjen e problemeve reale, të akumuluara prej dekadash. Menaxhimi i mbetjeve sot nuk është vetëm çështje mjedisore – është mundësi ekonomike, çështje e punës dinjitoze dhe e drejtësisë sociale”, tha ai.

Në fund, Hoxha theksoi se menaxhimi i mbetjeve duhet të shndërrohet në burim rritjeje dhe inovacioni, në vend që të mbetet problem mjedisor, duke shtuar se transformimi i gjelbër duhet të realizohet në terren, përmes ndërtimit të infrastrukturës moderne, si rruga e vetme drejt një mjedisi më të pastër dhe një cilësie më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët.

Share.
Exit mobile version