Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, me rastin e Ditës Botërore të Ujit ka theksuar se uji është pasuri dhe përgjegjësi e përbashkët, që duhet mbrojtur sot për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për brezat që vijnë.
“Në Ditën Botërore të Ujit, prezantojmë projektet tona aktuale për mbrojtjen e këtij burimi të pazëvendësueshëm.
Kemi miratuar Programin për menaxhimin e ujërave për vitin 2026, përmes të cilit investojmë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Me ndryshime ligjore dhe plane të reja për menaxhimin e pellgjeve lumore, vendosim standardet evropiane në qendër të politikave tona.
Qëllimi ynë është i qartë: ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe infrastrukture moderne ujore.
Përmes bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, vazhdojmë me rikonstruksionin e rrjeteve dhe forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve komunale.
Uji është pasuria dhe përgjegjësia jonë e përbashkët – e mbrojmë sot për të siguruar një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë”, ka shkruar ministri Hoxha.
